Shqipëria tashmë është anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Ceremonia e vendosjes së flamurit tonë në OKB, nga Ferit Hoxha, Përfaqësues i Përhershëm i Misionit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.
Vendi ynë mori mbi dy të tretat e votave në 11 qershor për një mandat dy vjeçar, pas 65 vitesh anëtarësim.
Këshilli i sigurimit ka 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme ndërsa 10 vendet e tjera anëtare një prej të cilave tani është dhe Shqipëria kanë mandat dy vjeçar.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha më parë se prioritet kryesor i mandatit do të jetë lobimi për Kosovën.
“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve”, tha ministrja.
Top Channel