Manchester United e nis vitin 2022 me humbje. Djajtë e Kuq pësuan disfatën e parë me trajnerin e ri Ralf Rangnick në stol pasi u mposhtën në Old Trafford nga Wolverhampton me rezultatin 0-1.

Sfida u vendos nga një gol i portugezit Joao Moutinho 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërkohë në çastet e fundit një tjetër portugez bëri një tjetër mrekulli, pikërisht portieri Jose Sa i cili ndali tentativën e bashkëkombasit të tij Bruno Fernandes duke mbajtur portën të paprekur dhe duke i dhënë Wolves-it, 3 pikë të arta në garën për një vend në Kupat e Europës.

Manchester United nga ana tjetër iu largua më shumë zonës Champions me Arsenalin, West Ham dhe Tottenham që për momentin kanë më shumë probabilitet për ta mbyllur sezonin në 4-shen e parë.

Një fitore plotësisht e merituar ajo e Wolves që bëri një ndeshje mbi pritshmëritë duke treguar se është një kockë e fortë për çdo skuadër të madhe në Premier League dhe me të drejtë pozicionohet në pjesën e sipërme të klasifikimit.

Top Channel