Ukraina nis trajnimin e civilëve në rast konflikti me Rusinë

30/12/2021 02:22

Ukraina ka përgatitur lëvizje të reja për shkak të tensioneve në rritje dhe raporteve për akumulimin e trupave ruse në zonën kufitare. Një stërvitje ka nisur prej ditësh në një pyll me pisha jo shumë larg kryeqytetit të Ukrainës.

Sipas New York Times, mijëra civilë ukrainas kanë aplikuar për të mësuar artet marciale në programet stërvitore të krijuara dhe drejtuar nga qeveria dhe grupet private paraushtarake.

Programet janë pjesë e planit strategjik të mbrojtjes së vendit në rast të një pushtimi të mundshëm rus. Edhe pse nuk ka indikacione deri më tani se presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur nëse do të nisë një sulm, ukrainasit nuk i lënë asgjë rastësisë.

“Ne kemi një ushtri të fortë, por jo aq të fortë për t’u mbrojtur kundër Rusisë,” tha Marta Yuzkiv, një mjeke që aplikoi për trajnim këtë muaj. “Nëse jemi të pushtuar dhe shpresoj se nuk do të ndodhë, ne do të bëhemi rezistencë kombëtare”, tha ajo.

Mbrojtja civile nuk është e panjohur në Ukrainë – brigadat vullnetare ishin shtylla kurrizore e forcave të vendit në lindje në vitin 2014, kur ushtria ukrainase ishte në rrëmujë.

Kjo përpjekje tashmë po zyrtarizohet në njësi të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të sapoformuara që janë pjesë e ushtrisë. Vitin e kaluar, ushtria ukrainase filloi trajnimin e fundjavës për vullnetarët civilë në këto njësi. Qeveria kryen dhe paguan për disa nga trajnimet nëpërmjet forcave të Mbrojtjes Territoriale dhe grupet paraushtarake private si Legjioni i Ukrainës kryejnë seanca të tjera, për të cilat anëtarët e tyre paguajnë të gjitha shpenzimet.

Top Channel