Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, projektligji për buxhetin shqyrtohet të hënën Kosova prej disa ditësh po kalon një situatë të rëndë ku në të gjithë territorin mungon energjia elektrike me orë të tëra.
Ditën e martë qeveria e Kosovës u gjend përballë një rrebeshi kritikash në parlament, opozita kaloi hapur në sulm për ngërçin e krijuar në vend me kufizimet e energjisë elektrike. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e përshkroi këtë si krizën më të madhe me të cilën është përballur Kosova që prej pavarësisë.
Ndërsa Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi sakaq populiste dhe të paditur Qeverinë e Kurtit dhe i kërkoi shefit të ekzekutivit të dorëzojë diplomën si inxhinier nëse nuk e di sesi kontraktohet çmimi i energjisë elektrike.
Por në ndihmë Kosovës i erdhi Shqipëria që do t’i japë borxh energji për dy ditët e ndërrimit të viteve. Lajmin e njoftoi mëngjesin e të martës kryeministri Rama dhe e konkretizoi në orët e pasdites ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Ministrja Balluku sqaroi se dy qeveritë kanë rënë dakord që këtë sasi energjie Kosova do t’ja kthejë Shqipërisë në muajt e verës atëherë kur Shqipëria ka prurje të pakta nga lumenjtë dhe rrjedhimisht prodhon më pak energji.
Top Channel