Një shekull Kryqi i Kuq Shqiptar, Veliaj jep medaljen“Mirënjohja e Qytetit” për shoqatën humanitare

29/12/2021 12:29

Kryqi i Kuq Shqiptar, që shënon 100-vjetorin e themelimit u nderua me medaljen “Mirënjohja e Qytetit”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj i dha medaljen shoqatës humanitare dhe e falenderoi për kontributin e dhënë në periudhën e vështirë të tërmetit dhe pandemisë së Covid 19.

Do të doja që ky fund i vitit të jetë edhe një moment për këtë lloj reflektimi, jo vetëm sa gjëra të vështira kaluam, por edhe sa e njohëm njëri-tjetrin dhe çfarë fuqie të brendshme kishim si shqiptarë dhe cilat ishin ato energji brenda sojit tonë, që na bënë të ringrihemi përtej fatkeqësive. Jam sot shumë i lumtur që Kryqi i Kuq Shqiptar, në vitin e 100-vjetorit si lëvizje, të marrë Mirënjohjen e Qytetit tonë”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se viti i ardhshëm do të jetë ideal për të rritur radhët e Kryqit të Kuq, edhe si një hap drejt largimit të të rinjve nga pasiviteti.

Teksa Tirana vitin që vjen do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, kemi një mundësi fantastike për rekrutim për Kryqin e Kuq në çdo gjimnaz e në çdo fakultet. Kryqi i Kuq ofron një mundësi të shkëlqyer për të qenë i dobishëm, për të qenë pjesë e një rrjeti, për t’u ndjerë pjesë e një misioni, kështu që mezi pres që në 2022, në vitin që Tirana do mikpresë të rinj nga e gjithë Europa, Kryqi i Kuq të jetë pararojë. Do kemi rreth 1000 evente ku do na duhet vullnetari energjik, i dobishëm, i zgjuar, i mençur, i ditur i Kryqit të Kuq”, deklaroi Veliaj.

100 vjet më parë, me nismën e intelektualëve të shquar të kohës, si Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Rauf Fico, Ali Këlcyra, Kristo Dako, etj., u themelua në Tiranë Kryqi i Kuq Shqiptar dhe pas një shekulli është anëtare e Lëvizjes më të madhe humanitare në botë që numëron 192 shoqata të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në ndihmë të njerëzve më në nevojë dhe në situata konflikti të armatosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA