Mbledhja e parë e përbashkët për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor po zhvillohet këtë të mërkurë.
Të ftuar janë Presidenti i Republikës Kryetari i Gjykatës Kushtetuese,Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Ministri i Drejtësisë, Drejtuesi i SPAK, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqesues OPDAT dhe organizatat e tjera të cilat monitorojnë zbatimin e reformës në drejtësi.
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi theksoi se është detyrë e tyre të gjejnë instrumente për të zbutur pasojat e Vettingut.
“Është i nevojshëm një rakordim dhe interpretim ligjor midis nesh për menaxhimin sa më optimal të sistemit gjyqësor. Ne jemi solidarisht përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë. Kjo është mbledhja e parë e dy Këshillave, sepse të dy institucioneve menaxhojnë statusin dhe karrierën e magjistratëve. Jemi familjet e prokurorëve dhe gjyqtarë dhe çështjet që kemi zgjedhur për t’i trajtuar sot kanë ndjeshmëri publike. Detyra jonë është të gjejmë instrumente për të zbutur pasojat e Vettingut”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi: Mundësia e tretë mund të jetë miratimi i hartës së re gjyqësore dhe rritja e kuotave për pranimin në Shkollën e Magjistraturës. Një mekanizëm do të ishte rishikimi i legjislacionit por tashmë është konsumuar me ndryshimet ligjore që janë bërë së fundmi. Mundësia e dytë është ngritja në detyrë e këshilltarëve ligjorë dhe ndihmësve, por për të duhen ndryshime ligjore te me tejshme.
Qeveria e Gjyqësorit ka vendosur të mbyllë 15 gjykata në vend, nën argumentin se nuk janë funksionale. Midis tyre, pesë janë Gjykata e Apelit, që mblidhen në një të vetme në Tiranë dhe 10 gjykata të Shkallës së Parë.
“Prej dy vjetësh, këshilli ka vendosur në funksion mekanizmin e emergjencës për plotësimin e trupave në gjyqe dhe kemi caktuar nga janari në nëntor 2021, 866 gjyqtarë, ky numër do të jetë më i lartë gjatë vitit të ardhshëm veçanërisht pas thellimit të vakancave”, tha kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami një ditë më parë.
Ndonëse nuk ka një bilanc konkret se sa do të jetë kosto, parashikohet që të ketë kundërshtime menjëherë sapo drafti të hidhet për diskutim në janar të vitit 2022.
“Do të aksesohet komplet nga qytetarët, duke parë edhe lëvizjet demografike që kane sjelle përqëndrim të popullsisë në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Me logjikën një qark një gjykate, Këshilli i Lartë Gjyqësor pretendon se do të ofrojë akses për qytetarët, do të minimizojë backlogun dhe s’do ketë zvarritje. Sidoqoftë, duhet parë nëse do të jetë funksional apo jo edhe ky projekt.
Top Channel