Ish-futbollisti i Anglisë këshillon Rangnick: Ul Ronaldon në stol, Sancho dhe 2 të tjerë kanë frikë nga ai

29/12/2021 23:35

Pas tre fitoreve radhazi, Manchester United u ndal në një barazim 1-1 në transfertë ndaj Newcastle teksa Djajtë e Kuq nuk po munden t’i afrohen zonës Champions pasi renditen në vendin e shtatë, shtatë pikë larg Arsenalit të vendit të katërt. Paraqitja e fundit ndaj “qymyrxhinjve” ishte zhgënjyese ndërsa nën ciklonin e kritikave përfundoi edhe Cristiano Ronaldo.

Së fundmi, për trajnerin Ralph Rangnick ka ardhur edhe një këshillë nga ana e ish-futbollistit të kombëtares angleze, Gabriel Agbonlahor, i cili mendon se prania e Ronaldos në fushë është duke penguar Rashford, Sancho apo edhe Greenwood të shfaqin potencialin e plotë.

“Mua më duket sikur Ronaldo interesohet vetëm për golat e tij. Ai vazhdimisht ankohej me duart lart sepse nuk po i pasonin dhe shokët e skuadrës nuk po i krijonin mundësi. Më pas u largua nga fusha shumë nervoz dhe e mendoj edhe sjelljen e keqe që do të ketë patur në dhomat e zhveshjes.

Sjellja e tij nuk më lë shije të mirë. Nëse unë do të isha në vendin e Sancho, Greenwood apo Rashford do të kisha frikë të tentoja portën, sepse sa herë që ata merrnin përgjegjësinë dhe godisnin, Ronaldo ishte me duart lart duke kërkuar të shërbehej. Harmonia në skuadër nuk duket e mirë dhe forma e Rashford dhe Greenwood ka ardhur në rënie pas afrimit të Ronaldos në ekip, duket sikur ata nuk mund të shprehen në fushë dhe mendojnë gjithnjë se duhet t’i pasojnë Ronaldos dhe të krijojnë mundësi shënimi për atë.

Para se të transferohej Ronaldo, Greenwood ishte gjithnjë duke dribluar kundërshtarët dhe duke goditur kuadratin, tani nuk e bën më këtë. Ronaldo është një lojtar i mrekullueshëm, me një karrierë të mrekullueshme, por nuk është më i njëjti lojtar. United bëri ndeshjen më të mirë të sezonit kundër Chelsea, me Ronaldon në stol. Mendoj se Rangnick duhet ta ulë më shpesh në stol atë”, u shpreh ish-sulmuesi i Aston Villa-s.

Top Channel