Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shprehet i sigurt, kur thotë se në vitin 2022, Shqipëria do të ketë President të ri.
Duke kujtuar se mazhoranca e ka shkarkuar Ilir Metën nga pozicioni i Presidentit, Balla, në një komunikim me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sot në Shqipëri nuk ka një vakancë për Presidentin e Republikës. Presidenti i Republikës është shkarkuar nga kuvendi i Shqipërisë, por ai shkarkim hyn në fuqi ose jo, vetëm kur shprehet Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese duhet të respektojë afatet e përcaktuara nga kushtetuta dhe ligji i posaçëm për këtë gjykatë dhe të japë mendimin sa më shpejt”.
Pasi shpjegoi si është procedura për zgjedhjen e Presidentit, deputeti socialisti theksoi se “Krishtlindja e vitit 2022 do të ketë një President që nuk është Ilir Meta”:
“Në momentin që ka një vakancë për Presidentin, ne brenda Partisë Socialiste i kemi të përcaktuara procedurat që ndjekim për vendimmarrjen kolegjiale për këtë rast. Kandidati për president duhet të gëzojë pëlqimin e të paktën 20 firmëtarëve (deputetëve). Në raundin e parë, kandidati duhet të ketë jo më pak se 85 vota dhe pas raundit të tretë, caktohet me shumicë të thjeshtë.
Në vitin 2022, në shkurt, mars, prill apo korrik, do të ketë President/e të ri të Republikës. Krishtlindja e vitit 2022 do të ketë një President që nuk është Ilir Meta”.
Top Channel