Egnatia me shpresën tek merkato, trajneri Ramadani nis lëvizjet e para

26/12/2021 15:44

Egnatia e mbylli vitin 2021 me fitore, duke mundur kampionët e Teutës me rezultatin 1-2 në “Elbasan Arena”. Trajneri Zekirija Ramadani mori suksesin e parë në stolin e rrogozhinasve, duke dhënë sinjalin se mund të ndryshojë pas ndërprerjes së sezonit për shkak të fundit të vitit.

Egnatia është skuadra më aktive sa i takon lëvizjeve deri më tani, teksa ka nisur punën për të larguar lojtarët që nuk janë pjesë e planeve të trajnerit Ramadani.

Glejdi Ndraxhi, Uros Djuric, Arsenio Valport e Chris Gadi kanë ndarë rrugët me rrogozhinasit, diçka që e ka njoftuar vetë Egnatia në ditët e fundit. Sytë tani janë tek merkato e dimrit, aty ku ekipi rrogozhinas do të këkrojë që të pasurojë ekipin me elementët që do të kërkojë trajneri Zekirija Ramadani.

Tekniku nga Shkupi do të ketë mundësinë për të ndryshuar diçka në organikë, për të përshtatur filozofinë e tij tek skuadra e Egnatias, që ka si mision mbijetesën dhe gara duket tepër e fortë. Drejtuesit po punojnë për të plotësuar kërkesat e teknikut, i cili tashmë është ambientuar me skuadrën.

Pas 15 javësh Egnatia ka marrë 14 pikë, duke u renditur në vendin e nëntë, një pikë më pak se Skënderbeu dhe Dinamo, që ndodhen më sipër. Fitorja e fundit me Teutën i jep besim rrogozhinasve se me pak ndërhyrje në merkato mund t’i marrin pikë çdo kundërshtari dhe deri në fund të luftojnë për objektivin e qëndrimit mes më të mirave të Superiores.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA