Interpoli i kërkon drejtësisë shqiptare që të angazhohet dhe të zbulojë bashkëpunëtorët e një grupi kriminal që ka vepruar në Maqedoninë e Veriut për vjedhjen e veprave të artit në Manastir dhe në Tetovë

Sipas burimeve të Top Channel në çështjen që përfshin dhe Shqipërinë synohet të identifikohet një rrjet personash që kanë grabitur vepra të trashëgimisë kulturore  nga maji 2020 deri në  korrik 2021.

Ky krim dyshohet nga Departamenti i Hetimit të Krimeve të Rënda në Maqedoninë e Veriut të ketë ndodhur në Manastir dhe në Tetovë  dhe deri më tani janë identifikuar tetë persona.

Si të arrestuar Interpoli njofton Shqipërinë se janë shtetasit Kolë Talevski, Dobre Risteski, Gogji Petrovski, Nikol Dimce, Zlatko Kostovski, Stojan Kostovski  dhe Peco  Mickovski  që po përballen me akuzat e shoqërimit kriminal dhe eksportit të veprave të rralla dhe dëmtimit të tyre.

Midis bashkëpunëtorëve të këtyre shtetasve të arrestuar në shtator 2021 , është edhe një shtetase shqiptare e cila shfaqet duke komunikuar me ta.

Sipas të dhënave nga Interpoli këta shtetas  jo vetëm kanë vizituar kishat dhe manastiret, por kanë kryer gjithashtu matje dhe gërmime për objekte arkeologjike dhe më pas kanë bashkëvepruar jo vetëm me njëri tjetrin por ka dyshime se kanë përfshirë në grup shqiptarë, kroatë dhe grekë.

Top Channel