Në këto ditë festash, veçanërisht për festën e Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës ka menduar që t’u gjendet pranë familjeve dhe fëmijëve me vështirësi ekonomike, për t’u krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë si gjithë të tjerët. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në Qendrën e re Komunitare Kombinat, ku shpërndau dhurata për fëmijët e familjeve në vështirësi ekonomike. Veliaj apeloi për më shumë solidaritet në këto ditë festash.
“Jam shumë krenar për ju dhe jam shumë i lumtur që jemi këtu sot, në një hapësirë më të madhe, më të bukur. Është një ambient ku fëmijët vijnë të bëjnë detyrat, ku ne ndihmojmë edhe disa fëmijë specialë, që kanë pak më shumë nevojë për ndihmë, dhe të sigurohemi që të gjithë shkëlqejnë. Por, sigurisht, ky është edhe një ambient për gjyshërit e gjyshet, që edhe ata të kenë një vend ku të takojnë njëri-tjetrin, të hanë një vakt të ngrohtë. Shpresoj shumë që kur të rriteni, do e vazhdoni ju këtë punë. Nëse në këtë qytet rritemi me dashuri, qyteti bëhet edhe më i mirë se ç’është. Nëse dikush ka nevojë për një fjalë të mirë, që t’i trokasim në derë dhe t’i themi gëzuar festat, kjo do t’ia ngrohte zemrën shumë”, tha ai.
Kryebashkiaku u shpreh se qendra ofron jo vetëm një strehë dhe vakte të ngrohta për të moshuarit e njerëzit në nevojë, por edhe shërbime për fëmijët me aftësi ndryshe, si fizioterapi, terapi arti dhelogopedi pa pagesë.
“Fakti që qindra fëmijë marrin shërbime këtu, i bëjnë detyrat këtu, marrin ndihmën e psikologut, një trajtim dhe terapi të veçantë, është një ndihmë e jashtëzakonshme për familjet e tyre. Ndoshta vërtet nuk ka duk siç mund të ketë një vepër e madhe publike, por unë besoj se vepra më e madhe në qytet, aseti më i rëndësishëm i tij, janë njerëzit. Qytete pa asfalt kam parë, qytete pa pemë kam parë, pa shtylla, pa pllaka. Por qytete pa njerëz nuk kam parë. Puna që bëjmë me njerëzit për t’u siguruar që në këtë qytet nuk ka rëndësi nëse një fëmijë jeton në Kombinat, në Ndroq, në Vaqarr, në Astir – pra nëse është në dukje në periferi – nuk ka nevojë të jetë në periferinë e vëmendjes sonë. Qyteti ka edhe qendër, ka edhe periferi, por për sa kohë që shërbimet janë njësoj dinjitoze dhe shanset për çunat dhe gocat janë njësoj të barabarta për të ecur përpara në jetë, e kemi kryer misionin tonë”, nënvizoi ai.
Duke falënderuar stafin për përkushtimin e treguar në shërbimin ndaj komunitetit, Veliaj u shpreh se Qendra Komunitare Kombinat shërben si shembull, ndërsa siguroi për rritjen e numrit të shërbimeve që do të ofrohen.
“Ju jam shumë mirënjohës stafit që punon, atyre që merren me terapinë, psikologët, ata që punojnë në kuzhinë, që bëjnë shërbimin ambulator në shtëpi. E vlerësoj jashtë mase punën tuaj! Qendra sociale me këto kushte nuk kam parë as në Europë. Tani që i kemi kushtet, puna bëhet pak më e lehtë, kemi mundësi të rrisim gamën e shërbimeve tona dhe kapacitetin e shërbimeve. Nën këtë shembull të Qendrës Sociale të Kombinatit na duhet të ndërtojmë një etalon se çfarë do të thotë shërbim modern dhe çfarë do të thotë një qendër që i ka të gjitha kushtet”, theksoi Veliaj.
Sikurse e ka kthyer tashmë në një traditë, Bashkia e Tiranës, në kuadër të festave të fundvitit, ka menduar edhe këtë vit që të jetë sa më pranë fëmijëve që frekuentojnë qendrat komunitare se bashku me familjen e tyre duke shpërndarë dhurata.
Top Channel