Në 15 javët e këtij edicioni në Abissnet Superiore, Dinamo ka grumbulluar 15 pikë, ose e thënë ndryshe me një mesatare me një pikë për ndeshje, duke u renditur në vendin e tetë, në të njëjtën kuotë pikësh me Skënderbeun.
Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi ka hasur vështirësi kryesisht në repartin e sulmit, aq sa nëse shohim listën e shënuesve figurojnë vetëm tre futbollistë.
Kapiteni Agim Ibraimi ka realizuar 5 gola, nigeriani Chinedu e ka gjetur rrugën e rrjetës 3 herë, një gol është shënuar nga 23-vjeçari Skuka, ndërsa Dinamo ka festuar dhe një autogol të kundërshtarëve.
Në total blutë e kryeqytetit kanë shënuar 10 gola, duke pasur sulmin më të dobët në elitën e futbollit shqiptar.
Dinamo e mbylli vitin 2021 me dy barazime pa gola, megjithatë në pesë takimet e fundit në Abissnet Superiore nuk ka marrë më shumë se dy pikë, ndërsa nuk ka mundur që të shënojë asnjë gol gjatë kësaj periudhe.
Reparti i avancuar duket se është ai ka më shumë probleme dhe me gjasa drejtuesit do tentojnë që në merkaton dimërore të pasurojnë repartin e sulmit, në mënyrë që skuadra të mos jetë e varur nga vetëm tre individë.
Top Channel