PD: 160 milionë euro të harxhuara në 8 vjet për sigurinë e sistemeve të të dhënave. SPAK të hetojë Ramën

24/12/2021 14:24

Partia Demokratike vazhdon ta konsiderojë publikimin e të dhënave sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve një krim i orkestruar nga kryeministri Edi Rama, si pjesë e një skeme kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit.  

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Organizimin Dixhital në PD, Endri Hasa sqaroi se gjatë këtyre tetë viteve Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për certifikimin elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kanë shpenzuar mbi 160 milionë euro dhe sipas tij këto para janë paguar që të dhënat e shqiptarëve të jenë të sigurta.

Për sekretarin dixhital të PD-së, krim nuk është vetëm publikimi, por edhe mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale.

Vjedhja e të dhënave të kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve është pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit”, tha ai.

Hasa theksoi se në një vend normal, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen, por Shqipëria nuk është ky rasti, pasi është vendi ku vidhen zgjedhjet dhe prandaj vidhen dhe dalin në publik edhe pagat e qytetarëve, edhe të dhënat e tyre më personale, që mbrohen me ligj.

Partia Demokratike kërkon që kryeministri Edi Rama të hetohet nga SPAK dhe të vendoset para drejtësisë.

Të mërkurën u bë publike lista e parë e pagave, ku shfaqeshin pagat e punonjësve shqiptarë për muajin janar 2021. Por, dje u publikua një listë e dytë pagash, e muajit prill 2021.

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që Prokuroria të nisë hetimet dhe përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik.

Skandali i daljes së të dhënave personale të pagave vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.

Prokuroria e Tiranës ka vazhduar hetimet, ndërsa ditën e sotme janë marrë në pyetje disa punonjës të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kryesisht ekspertët e IT.

Ndërkohë pritet të merren në pyetje edhe punonjës nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe nga Drejtoria e Tatimeve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA