Ndonëse ishte një vit pandemik, me rënie të ekonomisë dhe rritje të papunësisë, rreziku për të qene i varfër është ulur në 2020-n, ndërsa është ulur dhe pabarazia.

INSTAT bëri të ditur se në vitin 2020 janë vlerësuar 621.504 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt 659.138 individë të vlerësuar në vitin 2019. Kjo tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 5.7%.

INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2020 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ), e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare. Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2020 është 21.8%, duke pësuar një rënie prej 1.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019, 1.6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018 dhe 1.9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.

Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka treguesin më të lartë për të rrezikut për të qenë të varfër, ndërsa në Europë lë pas tre shtete, Turqinë, Rumaninë he Bullgarinë. Sipas INSTAT, Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2020 është vlerësuar me 186.242 lekë, në krahasim me 170.785 lekë që ishte në vitin 2019 dhe 160.742 lekë që ishte në vitin 2018. Shkalla e thelluar e privimit material tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material Ky tregues është vlerësuar 34,7% në vitin 2020, kundrejt 37,1% vlerësuar në vitin 2019, duke shënuar një rënie prej 2,4 pikë përqindje.

Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj). Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim përcaktohen në kufirin 20 %. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, në vitin 2020 sipas vlerësimeve përbëjnë 11,6%, kundrejt 12,4% rezultuar në vitin 2019, duke pasqyruar një rënie prej 0,8 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2020, ky tregues është vlerësuar 43,4%, kundrejt 46,2% vlerësuar në vitin 2019.

Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2020 është vlerësuar 37,9%, kundrejt 24,8% që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në rënie vihet re në të tre grupmoshat, por një rënie më të madhe kanë grupmoshat 0-17 vjeç dhe 18-64 vjeç, ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2020, në krahasim me vitin 2019, është ulur respektivisht me 1,3 dhe 1,2 pikë përqindje. Grupmosha 65 vjeç e lart ka pësuar një ulje me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me 2019.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2020 ka pësuar rënie me 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rënie prej 1,4 pikë përqindje, ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rënie prej 0,1 pikë përqindje.

Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2020, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët, krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 13,0% dhe 26,0 % e individëve. Një vit më parë këto përqindje ishin përkatësisht 14,2% dhe 27,2%.

Ulet pabarazia

Niveli i pabarazisë sipas shpërndarjes së të ardhurave matet nëpërmjet koefiçentit Gini dhe raportit të kuintileve të të ardhurave (S80/S20). Koefiçenti Gini mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, ku vlera 0 % shpreh barazinë e plotë dhe të gjithë individët kanë të ardhura të njëjta, ndërsa një koeficient Gini i barabartë me 100 % shpreh pabarazinë e plotë ku vetëm një person ka të gjitha të ardhurat. Në vitin 2020, Gini është vlerësuar 33,2 %, duke pësuar rënie me 1,1 pikë përqindje nga viti 2019.

Raporti kuintileve S80/S20, është një indikator i cili mat pabarazinë në të ardhura me anë të raportit të nivelit më të lartë të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i fundit) me nivelin më të ulët të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i parë). Ai paraqet raportin ndërmjet të ardhurave gjithsej të ekuivalentuara të 20% të popullsisë me të ardhura më të larta dhe të 20 % të popullsisë me të ardhura më të ulëta.

Në vitin 2020 raporti S80/S20 është vlerësuar 5,9 kundrejt raportit 6,4 që u vlerësua në vitin 2019. Për popullsinë 65 vjeç e lart, ky raport në vitin 2020 është vlerësuar me 4,0 kundrejt 4,1 që ishte në vitin 2019. Për personat nën 65 vjeç ky raport u vlerësua 6,2 në vitin 2020, kundrejt raportit 6,8 që ishte në vitin 2019. Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër, në rastet kur kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përcaktohet në 50,0% të medianës së të ardhurave të ekuivalentuara për frymë është vlerësuar 14,4% në vitin 2020, krahasuar me 16,2% të vlerësuar në vitin 2019. Në vitin 2020, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë/të ekuivalentuara janë rritur me 8,3 %, krahasuar me vitin 2019.

Krahasimi me shtetet e tjera

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2020, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Bullgari (23,8%), Rumani (23,4%), Turqi (23,0%), ndjekur nga Shqipëria (21,8%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (9,5%), Sllovaki (11,4 %), Danimarkë (12,1%) dhe Finlandë (12,2%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (27 shtete) është 17,1%./Monitor

FOTO GALERI
3/8

Top Channel