Arrestohen dy funksionarë të Tatimeve dhe Drejtorisë së zonave të mbrojtura në Berat

24/12/2021 14:46

Dy funksionarë të Zyrës Rajonale të Tatimeve Berat si dhe Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura janë arrestuar pasi akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.

Arrestimi i tyre erdhi pas një pune disa mujore të Prokurorisë së Beratit, ku u arrit dokumentimi me prova ligjore i përfitimit në mënyrë të parregullt, në disa raste, i vlerave monetare nga 2 shtetas që ushtrojnë funksione publike.

Në kuadër të operacionit “Tatimet” u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, si më poshtë:

“Arrest në burg” për shtetasin Z. M., 50 vjeç, banues në Berat, inspektor i tatimeve në DRT Berat, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasit A. Z., 66 vjeç, banues në Skrapar dhe V. Sh., 42 vjeç, banues në Drenovic, Berat (të dy administratorë subjektesh), për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shtetasi Z. M., gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt, nga shtetasit A. Z. dhe V. Sh, duke i favorizuar në kontrollin e dokumentacionit të subjekteve të tyre.

Në kuadër të operacionit “Stop” u bë ndalimi i shtetasit V. L., 40 vjeç, banues në Skrapar, specialist pranë DZM Berat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky shtetas, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt nga individë dhe subjekte, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të nxjerrjes së pllakave të gurit në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.

Top Channel