Vala e gjashtë e koronavirusit “pushton” Spanjën, a do ndalohet La Liga?

23/12/2021 16:51

Varianti Omicron i koronavirusit ka provokuar një valë të gjashtë infektimesh në Spanjë. As futbolli nuk është i izoluar nga ky realitet i ri dhe për këtë arsye Komisioni i Delegatëve të La Ligës ka miratuar një protokoll në përpjekje për të ndaluar përhapjen e infeksioneve, pasi një numër i madh lojtarësh është infektuar.

Një nga masat e para të vendosura është testimi i përditshëm për çdo anëtar të klubeve sportive. Rezultatet duhet të raportohen në mënyrë statistikore. Në ditët e ndeshjeve, ekipet pritëse janë të detyruara të kryejnë testin gjatë ditës ose në fillim të stërvitjes. Ndërsa ekipi tjetër do të jetë i detyruar të testohet para udhëtimit. Përveç kësaj, duhet të kryhet një test PCR të paktën 15 ditët e para të janarit 2022, por edhe një kontroll serologjik. La Liga do të menaxhojë dhe do të paguajë kostot e këtyre testeve.

Si një masë të jashtëzakonshme La Liga vendosi se lojtarët do të jenë të detyruar të kryejnë një test PCR në fillim të seancës së parë stërvitore pas kthimit nga pushimet e Krishtlindjeve, të cilin do të jenë të detyruar ta përsërisin.

Pavarësisht nëse dalin negativ, lojtarëve u lejohet trajnimi individual, por jo përdorimi i dhomave të zhveshjes apo hapësirave të tjera të mbyllura. Në momentin që do dalin rezultatet e testeve PCR, klubet mund të stërviten në grupe dhe të përdorin dhomat e zhveshjes, duke pasur parasysh rregullat e vendosura.

Protokolli i ri i La Ligës përcakton gjithashtu udhëzimet e reja për sjelljen e përditshme të lojtarëve, udhëtimet dhe përdorimin e ambienteve të skuadrave të ndryshme. Gjatë vaktit të ngrënies duhet të jenë katër persona dhe gjithmonë të njëjtët në një tavolinë, në mënyrë që të identifikohen nëse dikush do dalë pozitiv.

La Liga ka përfshirë në protokollin e saj edhe udhëzimet e autoriteteve shëndetësore për përdorimin e maskës, por ky rregull nuk vlen për lojtarët që do stërviten. Përdorimi i maskës FFP2 do të jetë i detyruar për të gjithë lojtarët që do qëndrojnë në stol. Maskë nuk do mbajë vetëm trajneri i parë.

Rekomandohet veçimi shoqëror me pjesën tjetër të stafit dhe ajrosja e vazhdueshme e ambienteve të ekipit, të paktën një herë në ditë dhe përdorimi i dezinfektantëve, por edhe njoftimi i menjëhershëm i shërbimeve mjekësore në rast të simptomave të ngjashme me Covid-19.

Lajmi i mirë është se ende nuk është vendosur nëse kampionati do të ndalet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA