Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë së Pogradecit pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike.

Pas një hetimi 2-javor, falë punës së mirëorganizuar, finalizuan operacionin e koduar “Unaza” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve A. Gj., 21 vjeç; R. Gj., 24 vjeç; D. P., 22 vjeç; Xh. O., 41 vjeç; K. Z., 18 vjeç dhe S. O., 19 vjeç, banues në Pogradec.

Ata kanë qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të shërbimeve policore dhe mbrëmjen e djeshme, janë kapur në flagrancë në unazën e qytetit të Pogradecit, ku nga kontrollet e ushtruara u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 21.14 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje, një automjet tip “ Mercedez Benz”, 7 telefona celularë dhe sende të tjera që kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Top Channel