Skandali me pagat/ Rama kërkon ndjesë: Nuk jemi të parët as të fundit! Të hetohen të gjithë, pa përjashtim inspektorët e tatimeve

23/12/2021 12:43

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur konferencë për mediat në lidhje me skandalin e nxjerrjes së të dhënave të pagave të mbi 630 mijë personave.

Rama kërkoi ndjesë për ndërhyrjen e jetës private duke bërë thirrje që të hetohet kushdo, përfshirë inspektorët e tatimeve që kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës. Ndër të tjera, kryeministri hodhi akuza duke thënë se mund të jenë të përfshirë edhe persona që janë larguar nga sistemi por edhe ata që nga foltoret e Kuvendeve e antikuvendeve, duke iu referuar kështu opozitës që paralajmërojnë skandale të tjera që i cilëson “zymtyra”.

Edi Rama: Dua t’ju kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe ndërkohë dua ta nënvizoj qysh në fillim se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj, shpresoj dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre dhe nga ana tjetër, dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që s’është e para.

Duke pasur parasysh edhe deklarata të bëra nga foltoret e kuvendeve dhe antikuvendeve, mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrja ime për prokurorinë është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim inspektorët e tatimeve që kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ata që aktualisht punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot, por edhe ata që nga foltoret e Kuvendeve e antikuvendeve paralajmërojnë zymtyra të tjera.

Në fjalën e tij, Rama shtoi se nga analizat paraprake thotë se ngjan më tepër si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm.

Edi Rama: Dëshiroj të sqaroj se kemi të bëjmë me një ndërhyrje e cila natyrisht duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por që me analizat paraprake ngjan më tepër si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtëm në formën e një sulmi kibernetik, gjë që ndodh edhe kjo. Nuk jemi të parët as të fundit nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore, pra le të themi viteve 2019-2020-2021, ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete shumë të larta dhe të mbrojtjes kibernetike që nga SHBA, Rusi, Britania e Madhe e Kanada dhe kjo është një sfidë e re e kohës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA