Prania e variantit Omicron/ Komiteti Teknik i Ekspertëve merr vendimin: Ndryshon ora policore natën e ndërrimit të viteve

23/12/2021 10:27

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që masat kufizuese për festat e fundvitit të mbeten në fuqi ndërsa bënë me dije se ka mbërritur varianti Omicron në vendin tonë pasi janë shënuar dy rastet e para.

Teksa fliste për situatën aktuale, Mira Rakacolli bëri me dije se niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për ta kontrolluar këtë situatë. Përveç natës së ndërrimit të viteve, kur njerëzit do të duan të festojnë me familjarët e tyre, ora policore do të mbetet 23:00 – 06:00.

“Do të mbeten të njëjtat masa që kemi në fuqi. Por prania e Omicronit në botë bën të domosdoshëm respektimin e masave që nuk po respektohet në nivelin e kërkuar. Po infektohen më shumë të pavaksinuarit. Kjo bëhet e ndjeshme në kushtet e variantit Omicron në Shqipëri. Omicroni do t’i gjejë të gjithë të pavaksinuarit. Vaksinimi nuk është çështje personale.

Jemi në prag të festave të fundvitit. Këtë vit, rreth 50% e popullsisë mbi 60 vjeç është e vaksinuar me të paktën një vaksinë, prandaj të jemi të përgjegjshëm për të respektuar standardet dhe të përdorim maskat në të gjithë ambientet e rekomanduara. Ora policore do të jetë e njëjtë, 23:00, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve. Ora policore ka të bëjë me persona që duan të kaljonë vitin e ri së bashku, jo me organizimin”, tha Rakacolli.

Ndër të tjera theksoi se më 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve e qendrave tregtare do të paraqesin certifikatat e vaksinimit ose dëshmitë e shërimit.

Ndërsa epidemiologia Eugena Tomini konfirmoi se dy persona të infektuar me koronavirus në vendin tonë janë bartës të variantit “Omicron”.

Masat kufizuese që janë në fuqi aktualisht

-Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.

-Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

-Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

-Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

-Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

-Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

-Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-Vijon që në strukturën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.

-Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.

-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA