Përshtatën magazinat për kultivim të kanabisit, arrestohen 6 persona në Shkodër. Dy janë punonjës të OSHEE

23/12/2021 11:08

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë së Shkodrës pasi kishin përshtatur dy magazina për kultivim të kanabisit.  Përveç kësaj, u zbulua dhe një ambient tjetër që shërbente për prodhimin e vazove plastike, aktivitet i paregjistruar në organet tatimore.

Në kuadër të operacionit të koduar “Bushati” u arrestuan: Gjergj Vasija, 33 vjeç, Kristjan Vasija, 21 vjeç, Kristjan Nikolli, 22 vjeç, Prendë Vasija, 56 vjeçe, të katërt banues në fshatin Mnelë.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë edhe 2 punonjës të OSHEE-së, Ardjan Kovaçi, 36 vjeç (përgjegjës i zonës) dhe Andi Kapcari, 25 vjeç (lexues i matësit elektrik), banues në Bushat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë operacionit u zbuluan dy magazina që Gjergj Vasija i kishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike në kushte laboratorike me anë të llambave, si dhe një magazinë ku prodhoheshin vazo plastike, aktivitet i paregjistruar në organet tatimore.

Nga kontrolli i magazinave dhe banesave u sekuestruan 100 kilogramë cannabis sativa, 0.5 litra vaj hashashi, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, baza elektrike (llamba, stabilizatorë elektrikë që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike) dhe 187 kova plastike që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit pa licencë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Top Channel