Orët kalojnë dhe derbi i kryeqytetit po afron, ndërsa SuperSport ishte në një tjetër lidhje direkte, këtë herë nga hoteli ku është grumbulluar klubi i Tiranës, teksa zëvendës-trajneri Erbim Fagu zbuloi atmosferën në grup dhe synimet e bardhebluve për ndeshjen e sotme.
Sa i përket ndeshjes, dihet rëndësia e saj, pasi është një derbi. Kemi pasur disa probleme me Ismailgecin dhe Seferin, që kanë kaluar gjendje gripale, por kemi një grup të kompletuar dhe kemi elementë që mund t’i zëvendësojnë, duke dhënë maksimumin.
Mendoj se kjo është një ndeshje më e rëndësishme për Partizanin sesa për ne. Jemi në vend të parë dhe e shohim thjesht si një ndeshje radhe, ku duam të marrim tre pikët. Mbetet një derbi, por jemi më të qetë.
Nuk ka favoritë, pavarësisht klasifikimit, por ne jemi optimist, duke parë edhe gjendjen e skuadrës. Jam i bindur që do të japim më të mirën dhe do të marrim maksimumin.
Për t’iu përgjigjur Kalarit, sot nuk është dita e Partizanit. Nuk ka për të qenë dita e tyre. Do të donim t’u bënim dhuratë fitoren, të gjithë tifozëve bardheblu sot, duke qenë se jemi në prag të festave”, deklaroi Fagu.
Top Channel