Këtë mbrëmje, në orën 19:45 e gjithë vëmendja do të fokusohet në stadiumin “Air Albania”, aty ku Partizani dhe Tirana luajnë episodin e radhës në derbin e kryeqytetit.
Kjo ndeshje i gjen skuadrat në situata krejtësisht të ndryshme teksa bardheblutë zbresin në fushë si kryesuesit e kampionatit dhe pretendentë për triumfin final në fundin e sezonit.
Nga ana tjetër, kjo pjesë e parë e kampionatit ka qenë me shumë ulje dhe ngritje për Partizanin me trajnerin llir Daja që nuk ka mundur të gjejë vazhdimësinë. Aktualisht, diferenca në tabelën e klasifikimit është plot 12 pikë në favor të bardhebluve e fare mirë kjo sfidë mund të konsiderohet edhe si treni i fundit i Partizanit për titullin.
Megjithatë, duke lënë mënjanë formën dhe pikët e skuadrave aktualisht, derbi shihet gjithnjë si një ndeshje veçmas rrjedhës normale të sezonit e në këtë formë, në fushë nuk ka favoritë. Sakaq, pritshmëritë janë të larta edhe për tifozët të cilët do të jenë të shumtë në tribunat e “Air Albania”, teksa gjithnjë kanë ditur t’i “vjedhin” skenën edhe lojtarëve në fushë.
Kujtojmë, se derbin e parë të këtij sezoni ishin bardheblutë ata që triumfuan me rezultatin 1-0, falë një goli të Vesel Limajt nga pika e bardhë e penalltisë.
Top Channel