Dy oficerë të Policisë Kufitare Kapshticë janë ndaluar nga SHÇBA, pasi akuzohen se kanë lejuar që të kalonte një shtetas në kërkim.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të caktojë masën “Arrest me burg“ ndaj personave në hetim: “- N/Komisar B.D.,52 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Inspektor Ç.LL, 23 vjeç, me detyrë Specialist Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.”

SHÇBA njofton se këta punonjës policie në kundërshtim me detyrën kanë lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të shtetasit A.Q., ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, duke dëmtuar interesat e hetimit penal ndaj tij.

Procesverbalet e ekzekutimit së bashku me aktet e procedimit penal i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Top Channel