Të dielën, Kili zgjodhi presidentin e ri, 35-vjeçarin Gabriel Boric, i cili në votime kaloi me një diferencë krejt të papritur kandidatin tjetër, Jose Antonio Kast, i të djathtës ekstreme dhe një nostalgjik i ish-gjeneralit dhe diktatorit kilian Augusto Pinochet.
Boric, i cili do të marrë detyrën në mars, jo vetëm që do të jetë presidenti më i ri në historinë e Kilit, por do të jetë edhe më përparimtari që nga ditët e Salvador Allende, i cili vdiq në grushtin e shtetit të vitit 1973, përmes të cilit Pinochet erdhi në pushtet.
Ai do të gjejë një vend të ndryshuar thellësisht nga protestat e mëdha që filluan në vitin 2019 për rritjen e çmimit të biletës së metrosë në kryeqytet, ku dhe kapërcyen kufijtë fillestarë duke u shndërruar në protesta më madhore dhe më ambicioze.
Një lëvizje e lindur nga këto protesta kishte sjellë në fakt vendimin për rishkrimin e Kushtetutës së vitit 1980, të hartuar në kohën e diktaturës; kjo lëvizje vuri në pikëpyetje të ashtuquajturin “modeli kilian”, i bazuar në një neoliberalizëm të theksuar dhe që për shumë vite ishte konsideruar si një sukses dhe një shembull për t’u ndjekur nga vendet e tjera të Amerikës Latine.
Kjo lëvizje solli edhe një lidership të ri të së majtës, shumë i ri edhe në moshë, por i formuar nga protestat studentore, të cilat kishin arritur të fusnin në agjendën e debatit politik kilian shumë çështje të neglizhuara nga qeveritë e mëparshme; si ambientalizmi, feminizmi dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Ishte ky lidership i ri që nxori Boric, i cili do të jetë presidenti i parë kilian që nuk i përket asnjë prej partive tradicionale që kanë qeverisur vendin që nga kthimi i demokracisë në vitin 1990. Presidenti i ri pati rreth vetës shumë bashkëpunëtorë të ardhur nga përvoja të ndryshme politike, por të bashkuar për një qëllim të vetëm: ndryshimi rrënjësor i vendit është bërë aq i nevojshëm sa asnjëherë tjetër.
Ai fitoi si udhëheqës i koalicionit elektoral Pacto Apruebo Dignidad, i cili është formuar nga dy koalicione, të dyja shumë të rëndësishme gjatë protestave të viteve të fundit. Koalicioni i parë është Frente Amplio dhe që pasohet nga Chile Digno dhe Verde y Soberano që përfshin edhe Partinë Komuniste.
Boriç u zgjodh si kandidat presidencial nga Frente Amplio në fillim të vitit 2021 për aftësitë e tij politike, por që edhe “fati punoi në favor të tij”, shkruan El Pais. Në fakt, Boric kishte mbushur 35 vjeç, mosha minimale e kërkuar nga Kili për t’u bërë president, ndërsa kandidati tjetër kryesor, Giorgio Jackson, i cili më vonë do të bëhej strategu politik i fushatës së tij elektorale, ishte 34 vjeç.
Përveç Jackson, ka figura të tjera qëndrore që luajtën një rol shumë të madh në ngritjen politike të Boricit, të cilët janë pjesë e lidershipit të ri që u shfaq gjatë protestave që filluan në 2019 dhe që u formuan kryesisht politikisht në protestat universitare gjatë qeverisë së parë të Pinera, në vitin 2011.
Një nga emrat e parë është Izkia Siches, një mjeke 35-vjeçare, i vetmi person që u ngjit në podiumin e fitores pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Siches, e cila u vendos në krye të fushatës elektorale për raundin e dytë, iu besua përmbysja e rezultateve zgjedhore në zona të ndryshme të Kilit, ku dhe fitoi. Ajo arriti të përfitojë nga popullariteti i saj që krijoi gjatë periudhës së pandemisë, e cila drejtoi shoqatën Colegio Medico dhe që këshilloi qeverinë të mbyllte qytetin e Santiago-s plotësisht për të shmangur një përkeqësim të shpejtë të situatës epidemiologjike.
Nuk është ende e qartë se çfarë roli mund të ketë Siches në qeverinë e re të Boricit, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë ministrja e ardhshme e Shëndetësisë, të njëjtin post që mori Michelle Bachelet, para se të zgjidhej presidente e Kilit.
Figura të tjera qendrore në rrethin e brendshëm të Boricit janë dy liderët komunistë Camila Vallejo dhe Karol Cariola, një gjeograf 33-vjeçar dhe një infermiere 34-vjeçare. Gjithashtu është Miguel Crispi nga partia Revulucion Democratica (një nga dy partitë që përbëjnë koalicionn Frente Amplio), i cili është 36 vjeç dhe është djali i një ministri socialist në qeverinë e Bachelet dhe po ashtu deputetja socialiste Maya Fernandez, e cila është 50 vjeçe dhe është mbesa e Allendes.
Ndryshimet e thella që ndodhen në Kili u shprehën me shfaqjen e një lidershipi të ri politik, por ato mund të kthehen edhe në reforma të mëdha dhe ambicioze, të premtuara nga Boric në fushatën elektorale. Objektivi kryesor i këtyre reformave duhet të jetë çmontimi të paktën i pjesshëm i modelit neoliberal që ka mbizotëruar në Kili gjatë dekadave të fundit.
Boric ka propozuar një rritje të taksave për të ashtuquajturit “super të pasur” dhe bizneset për të financuar reformat sociale që i duhen vendit. Ai propozoi edhe heqjen e sistemit aktual privat të sigurimeve shëndetësore, i akuzuar për përjashtimin e shtresave më të varfra të popullsisë nga kujdesi shëndetësor dhe krijimin e një Fondi Universal të Shëndetit, me qëllim financimin e shërbimeve shëndetësore në qendrat publike dhe private.
Boric është shprehur se do të ulë gradualisht numrin e orëve të punës, në maksimumin 40 orë në javë, do të rrisë pagën minimale dhe do të subvencionojë të rinjtë dhe gratë. Ai ka premtuar forcimin e shkollave publike dhe shlyerjen e borxheve për të gjitha shkollat, me synimin për të krijuar një sistem shkollor falas për të gjithë.
Së fundi, Boric premtoi një reformë strukturore për forcat policore, të cilat janë akuzuar për dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ai do të marrë presidencën më 11 mars 2022, në fillimin e një viti që do të jetë vendimtar për Kilin. Përveç presidentit të ri, vendi do të ketë një parlament të ri dhe nëse miratohet edhe një Kushtetutë të re.
Top Channel