BE mbështet nismën e Ballkanit të Hapur/ Komisioneri Varhelyi thirrje tre vendeve të tjera që t’i bashkohen, rendit përfitimet ekonomike të rajonit

21/12/2021 10:46

“Bashkimi Europian mbështet pa kushte Ballkanin e Hapur”. Deklarata u bë nga Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi gjatë takimit ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” ku u nënshkruanedhe pesë marrëveshje.

“Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit. Ne (BE) mendojmë që në bazë të rregullave e vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur por dhe në të mirë të të dyja palëve, në të mirë të Ballkanit dhe Bashkimit Europian”, tha Komisioneri.

Varhelyi ftoi edhe tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës duke renditur arsyet e përfitimit prej saj.

“Më lini të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar tri partnerët e tjerë që t’i kthehen këtij bashkëpunimi sepse është jo vetëm në të mirë të biznesit, është në të mirë të konsumatorëve, ofron shtim të punësimit, e po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren. Nëse ka dicka që ju citoj, t’ju citoj juve zoti Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 e PBB-së ekzistuese”, shtoi ai.

Komisioneri e vuri theksin te rëndësia që kjo nismë të shkojë përpara, në një kohë kur nismat e tjera nuk po ecin mirë.

Për të qenë i ndershëm, kam qënë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt minishengen, më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët rajonal por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. Ky është një përfundim që unë e kam nxjerrë që nga fillimi, që ju të vazhdoni ta nxisni këtë nismë sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, sa i takon ekonomisë, shoqërisë dhe rajoni kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në Bashkimin Europian. Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën”, tha Varhelyi.

Në fjalën e tij,  kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e kësaj nisme për vendet e rajonit duke i bërë thirrje vendeve të tjera që t’u bashkohen.

“Është një moment kyç i procesit tonë sepse marrëveshjet që do të nënshkruhen do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm para drejt objektivit tonë që është të garantojmë lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve mallrave, kapitaleve e shërbimeve. Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Haur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë pasi është një nismë tërësisht përfshirëse dhe sigurisht duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekje. Në  fushën e lëvizjes së mallrave, sot do të nënshkruajmë marrëveshjen tripalëshe të kafshëve të gjalla dhe njohjes së ndërsjellë të dokumentacionit të lëshuar dhe zbatimin e memorandumit dhe kalimit të mallrave mes nesh të treve që është nënshkruar tashmë korrikut tashmë, tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zev informoi se do të jetë pjesëmarrja e tij e fundit e drejtpërdrejtë në këtë nismë, ndërsa në vend të tij do të jetë se kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

“Kemi suksese për të treguar, rezultate se grupi i punës ka bërë punë të shkëlqyer. Kemi hapa të dukshëm për të treguar, kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Zaev.

Ndërsa anëtari i tretë i nismës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh i prerë  ndaj kundërshtuesve të “Open Balkan” se askush nga ata nuk duhet të kërkojë ndjesë për këtë iniciativë, duke theksuar se do të përfitojnë të gjithë qytetarët.

” Tregtia do të jetë më e lehtë, janë çështje tejet të rëndësishme për shumë nga qytetarët tanë, ne të tre së bashku ose të gjithë së bashku do të duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm, sepse njerëzit dëshirojnë të shikojnë më shumë rezultate,më ka ardhur pak në majë të hundës që do të duhet të japim justifikime për hiç gjë. Pse duhet t’u kërkojmë ndjesë për këtë iniciativë, nuk kemi arsye të japim ndjesë atyre që nuk janë pjesë”, tha Vuçiç.

Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.

Pesë marrëveshjet e nënshkruara janë:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha mblodhi mbështetës të tij nga Shqipëria dhe Kosova duke kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin dhe se Rusia është rrezik për stabilitetin në Evropë.

Gjatë ditës së djeshme u dogjën edhe flamuj serbë, si shenjë proteste kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u vunë nën hetim  gjashtë të mitur.Pas situatës së tensionuar presidenti serb u prit në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar trazira.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës “ Open Balkan” u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet.

Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin.

FOTO GALERI
11/59

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA