Marrëveshjet në kuadër të “Ballkanit të Hapur” janë nënshkruar këtë të martë në Tiranë mes tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Nga pala shqiptare ishin ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ajo e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj që nënshkruan marrëveshjet mes tre vendeve.
Pesë marrëveshjet janë:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.
Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha mblodhi mbështetës të tij nga Shqipëria dhe Kosova duke kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin dhe se Rusia është rrezik për stabilitetin në Evropë.
Gjatë ditës së djeshme u dogjën edhe flamuj serbë, si shenjë proteste kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u vunë nën hetim gjashtë të mitur.Pas situatës së tensionuar presidenti serb u prit në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar trazira.
Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës “ Open Balkan” u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet.
Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin.
Top Channel