Kryeministri Edi Rama ka folur për skemën e ndihmës ekonomike që do të votohet sot në Kuvend për të ndihmuar fëmijët në përkujdesin e Republikës së Shqipërisë si dhe për nënat që kanë 3 ose më shumë fëmijët, vajzat e gratë e dhunuara apo trafikuara.
Sot në Kuvend do të votohet miratimi i statusit të veçantë “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Përmes këtij ligji, shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë fëmijët jetimë të prindërve që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Rama ka zbuluar mbështetjen financiare që marrin fëmijët e dëshmorëve të atdheut, të mjekëve e infermierëve që humbën jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës si dhe atyre që ndërruan jetë duke mbrojtur të tjerët.
Rama: Unë ndjehem posaçërisht mirë që në seancën e fundit të Parlamentit për këtë vit dhe në prag të festave të fund vitit, ne mund t’i përcjellim si fakt dhe jo më si qëllime të mira disa ndryshime të rëndësishme të realizuara së fundmi në këtë Kuvend, si dhe një tjetër ndryshim shumë të rëndësishëm që do realizojmë sot me votën e këtij Kuvendi.
Duke nisur nga janari, nga muaji i ardhshëm, të gjitha nënat me tre a më shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike, do përfitojnë dyfishin e ndihmës. Ashtu sikundër do të përfitojnë dyfishin e ndihmës të gjitha vajzat dhe gratë e dhunuara apo trafikuara, të gjitha nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe po ashtu, edhe jetimët që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Këtyre, sot u kthehet edhe një kategori tjetër, përmes nismës së re ligjore për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, një nismë që reflekton një vizion që mishëron një ambicie dhe që materializon një qasje të vazhdueshme të kësaj shumice qeverisëse, në raport me ata që ndjehen më të dobët sepse faktikisht, u përkasin kategorive më vulnerabël.
Me votën e sotme, Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të dëshmorëve të atdheut, të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur pronën publike ose për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e individëve të tjerë, si rezultat i një akti vetëmohimi ose patriotizmi, të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore.
Nëpërmjet kësaj nisme të qeverisë, që sot kthehet në një ligj të parlamentit të Shqipërisë, shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorive prindërish për t’iu lehtësuar përballimin e një vijimësie jete në kushtet e humbjes së prindit apo të kujdestarit ligjor si dhe për integrimin e tyre shoqëror.
Statusi “Fëmijë nën Kujdesin e Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç, por i siguron personit një trajtim të veçantë material dhe moral deri në moshën 25 vjeç nëse ndjek edhe arsimin e lartë.Përfitimet materiale përfshijnë trajtim financiar mujor që llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit apo kujdestarit ligjor që ka humbur jetën.
Në masën 100% për çdo fëmijë kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë nën Kujdesin e Republikës”.
Në masën 70% për çdo fëmijë kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka vetëm dy fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë nën Kujdesin e Republikës”.
Në masën 40% për çdo fëmijë kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë nën Kujdesin e Republikës”, apo 50% kur janë 3 fëmijë.
Ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm përpara në krahasim me trajtimin e derisotëm të fëmijëve jetimë, të prindërve apo kujdestarëve ligjorë që kanë humbur jetën në krye të detyrës dhe përbën një mesazh jashtëzakonisht të qartë për konstitucionin vlerortë kësaj shumice qeverisëse dhe për faktin se në një proces qeverisës, në çdo hap të rritjes së mundësive për të bërë më shumë për njerëzit më në nevojë, ne do të vijojmë të rrisim edhe masën e mbështetjes së tyre.
Do të kishte qenë natyrisht shumë më mirë sikur çka bëjmë sot ta kishim bërë më parë apo sikur çka mund dhe do të bëjmë nesër ta kishim bërë sot, por thelbi është se gjithçka varet nga mundësitë e prandaj përpjekja e gjithanshme për të rritur mundësitë në mënyrë që të mund të rrisim mbështetjen e njerëzve e jo vetëm të atyre në nevojë, por dhe të atyre që kanë nevojë për paga më të larta, të atyre që kanë nevojë për pensione më të larta, është një përpjekje e cila vazhdon dhe ndërkohë është një përpjekje e cila nuk mund të zëvendësohet kurrsesi nga dëshirat e mira, se nuk mjaftojnë dëshirat e mira, por duhen mundësitë dhe është përmes rritjes së mundësive që mund të rritet dhe mbështetja.
Përveç kësaj mbështetje në formën e trajtimit financiar për të gjithë këta fëmijë që janë jetim prindërish që kanë humbur jetën në krye të detyrës dhe të cilëve, prindërit, askush nuk ka fuqinë tua kthejë dot, por sot është shteti që ju gjendet në aspektin e mbështetjes materiale njësoj si të ishte prindi në punë teksa gëzonte pagën më të lartë, – janë dhe një sërë të drejtash të tjera që vlen të përmenden, që nga shërbimi falas shëndetësor, spitalor, jo vetëm në institucionet e shëndetësisë publike që është i barabartë për të gjithë, por dhe kur është e nevojshme, në institucionet jo publike të shërbimit shëndetësor, brenda apo jashtë vendit.
Në sistemin arsimor para universitar këta fëmijë përfitojnë trajtim financiar sipas kuadrit ligjor për përfitimin e të gjitha bursave apo pagesave për nxënësit apo studentët pavarësisht faktit që marrin një mbështetje maksimale financiare mujore nga shteti.
Po ashtu, ata përfitojnë një përjashtim tërësor nga tarifat vjetore të shkollimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi, kur fitojnë të drejtën e ndjekjes së një programi arsimi në arsimin e lartë, në institucionet publike të arsimit të lartë, pavarësisht nivelit përkatës të fashës në të cilën gjenden nga pikëpamja e rezultateve.
Po ashtu, këta fëmijë përftojnë një asistencë personale falas sipas kërkesës së tyre në fund të çdo cikli arsimor dhe mbështeten me një trajtim preferencial për punësimin e tyre në përfundim të studimeve të arsimit të lartë.
Personi që merr statusin fëmijë nën kujdesin e Republikës, ka gjithashtu një sërë të drejtash të tjera, të natyrës simbolike dhe morale dhe përtej këtyre të drejtave dhe përtej çdo aftësie të veçantë për të përthithur të tjera të ardhura si pasojë e ushtrimit të këtyre të drejtave, ai vazhdon merr deri në moshën madhore apo deri kur përfundon studimet e larta në rast se është me studime të larta, trajtimin financiar në bazë të pagës së prindit, në atë fazë që paga e prindit ishte më e larta e jo si një mesatare.
Shumë të vetëdijshëm për borxhin ndaj atyre që dhanë jetën e tyre me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi, heroizmi, integriteti dhe që i dhanë ndjesinë e jashtëzakonshme të vlerës së jetës, por dhe të vlerës së përkushtimit dhe të sakrificës për mbrojtjen e jetëve të të tjerëve, shoqërisë sonë, kjo qeveri i ofron sot përmes fuqisë dhe të kësaj shumice këtu në sallë, dorën e një mbrojtjeje dhe një kujdesi krejt të posaçëm, të panjohur më parë në historinë e këtij shteti, të gjithë fëmijëve të tyre dhe përtej të gjithave, unë i ftoj të gjithë deputetët në këtë sallë, pavarësisht shumicës dhe pakicës, ta votojnë unanimisht këtë ligj sepse është në nderin e secilit prej tyre si deputet dhe është detyrim i secilit prej tyre si prind, si bir, si motër apo si vëlla.
Top Channel