Berisha rendit arsyet përse qytetarët duhet të marrin pjesë në protestë: Vuçiç nuk është i denjë të pritet në Tiranë

20/12/2021 11:42

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për të protestuar ditën e sotme para kryeministrisë në orën 16:00.

Para pak minutash, ka reaguar me anë të një postimi në Facebook duke listuar 4 arsye pse qytetarët duhet të marrin pjesë në protestën e sotme.

1.Vuçiç është ministër i Millosheviçit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij.

2.Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe ndaj nuk duhet lejuar asesi që të konkretizohet.

3.Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiçit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë.

4.Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiç është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Takimi i fundit i nismës së Ballkanit të Hapur u mbajt në Beograd, ku mbi të gjitha u diskutua për lehtësimin e procedurave doganore, që “produktet të mos prishen duke pritur disa ditë në kufi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA