Ka përfunduar protesta e thirrur nga deputeti Sali Berisha në sheshin para kryeministrisë kundër nismës së Open Balkan.
Por Berisha tha se kjo nuk do të jetë protesta e fundit: Ky uragan nuk ndalet më, ndaj dhe më lejoni ta paralajmëroj Ramën, mos guxo të dalësh para dhe mos mendon se me pakicë mund të shtypësh shumicën se mjerimi të pret, ne nuk ka forcë në botë që na ndal. Kjo është protesta e parë, ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave derisa të largojmë narkoshtetin, të rikthejmë shpresën dhe demokracinë.
Me këngën “It’s the final countdown” ish-kryeministri Sali Berisha, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe mbështetësit e tyre u pozicionuan për rreth dy orë para Kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në protestën kundër “Ballkanit të Hapur”.
Takimi në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet nesër në Tiranë, sipas ish-kryeministrit Berisha është një nismë dashakeqe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë raportohet se dyert e Kryeministrisë janë blinduar për të shmangur çdo lloj incidenti, ndërsa pranë saj qëndrojnë edhe makina ujëhedhëse.
Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur për të mbështetur Berishën.
Mes tyre ishte një zotëri, i cili iu drejtua Berishës duke thënë: “Unë ty nuk të ndahem, do jem me ty. Ke shumë gjynahe po unë do ti marr bashkë me ty dhe ty nuk të ndahem.”
Rreth dy mijë forca policie janë të angazhuara, përveç Gardës së Republikës, për të siguruar që protesta të jetë paqësore dhe mos të përmbyllet me trazira.
Veç Berishës, mbajtën fjalën në podium edhe Aldo Bumçi, Melihate Termkolli, Bujar Nishani, Albana Vokshi, Belind Kellici, Edit Harxhi, Megi Balliu, Ylli Manjani dhe në fund Sali Berisha.
Top Channel