Një shpërthim ndodhi pasditen e së dielës në Lungomare në Vlorë. Në shënjestër të sulmit me tritol është një 34 vjeçar i identifikuar si Indrit Sadedini.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur kur i riu po ecte në trotuar. Prej kohësh Indrit Sadedini lëvizte me makinë të blinduar, ndaj duket se atentatorët e kanë vëzhguar duke e vendosur eksplozivin në rrugën që do ta çonte te pallati, të fshehur në një kuti kartoni që është aktivizuar nga larg me telekomandë kur ai kaloi në këmbë pranë saj.
Për shkak të plagëve të marra pas dërgimit në spitalin e Vlorës i riu u transferua te Spitali i Traumës në Tiranë. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e pazarave të prishura të hashashit.
Katër vjet më parë një sasi lënde plasëse iu vendos në makinë dhe eksplozivi u neutralizua nga një ekip xhenierësh. Në bazë të kësaj ngjarjeje Indrit Sadedini kërkoi azil në Francë, por pa sukses.
Top Channel