![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-06-at-19_sd-800x450.jpg)
Ndërkohë që Partia Demokratike ‘zien’ këtë të shtunë, në një anë votimet në Referendumin e Berishës për shkarkimin e Bashës dhe në anën tjetër Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ky i fundit, Kryeministri Rama ka mbërritur pak momente më parë në Vlorë.
Kryeministri pritet të zhvillojë takime në pallin e Sportit me në fokus bashkëqeverisjen.
Ndërkaq, në agjendën e kryeministrit janë planifikuar edhe dy takime të tjera, me të rinjtë vlonjat dhe strukturat e PS.
Kujtojmë se, dy ngjarje paralele, krejt të kundërta me njëra-tjetrën, po zhvillohen këtë të shtunë në familjen e demokratëve.
Në orën 08:00 ka nisur votimi në referendumin e thirrur nga Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjitha komisionet përkatëse në të 106 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin. Procesi i votimit ka filluar në të gjitha qendrat dhe po vazhdon i qetë.
Nga selia blu është njoftuar për një tjetër Kuvend Kombëtar, këtë herë të thirrur nga Lulzim Basha. Kuvendi i sotëm ka si moto se PD zgjedh të ardhmen dhe Shqipërinë.
Fokusi i demokratëve në këtë Kuvend do të jetë në tre drejtime kyçe, sipas agjendës së publikuar mesditën e 17 dhjetorit, nga PD-ja.
Top Channel