Luan Baçi akuzon policinë se ka hyrë me forcë në Cakran, në ambientin ku demokratët po votonin për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së
“Policia bashkiake e Fierit ka shkuar, ka ndërprerë procesin e votimit, ka hyrë te zyrat e njësisë vendore”, thotë Baçi për mediet.
Sipas tij, se një ditë më parë kanë biseduar me drejtuesit e njësisë vendore, që i kanë dhënë lejen për të zhvilluar procesin vendor aty. “Policia i ka nxjerrë me zor, me kutitë e votimit. Të gjitha materialet zgjedhore i ka nxjerrë jashtë. Po mundohemi të gjejmë një ambient tjetër aty afër për të vazhduar votimin. Demokratët e Cakranit do të vazhdojnë procesin e votimit”, shprehet Baçi.
Ndërkohë, ka reaguar policia, ku mohon të jetë përfshirë në një incident të tillë.
“Strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të papërfshira dhe neutrale në këtë situatë. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht të garantojë rendin e sigurinë në territor, të parandalojë dhe reagojë me profesionalizëm në çdo situatë që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Këtë të shtunë po votohet në referendumin e thirrur nga Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjitha komisionet përkatëse në të 106 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin.
Top Channel