“Berishizmi sot është enverizmi i demokracisë”/ Gjekmarkaj-Bashës: Na duhet shkëputja nga tradita politike që na ka sjellë në këtë krize

18/12/2021 17:19

Betejën midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, Agron Gjekmakaj e cilëson si një luftë për dy modele partish, “partisë postkomuniste të tranzicionit të Sali Berishës dhe Partisë demokratike të dekadës apo dekadave të së nesërmes”.

Në fjalimin e tij, në Kuvendin Kombëtar, të thirrur nga PD-ja zyrtare, deputeti Gjekamrkaj theksoi se “PD është partia e të gjithëve dhe si e tillë nuk mund të lejojë që kriza e një  personaliteti  politik si  Sali Berisha, që ka dominuar PD-në e tranzicionit të përcaktojë fatin e Partrisë Demokratike për sot, nesër e përgjithmonë”.

Kriza vetjake e personalitetit politik Sali Berisha, raportet  e tij personale me Shtetet e Bashkuara të Amerikes, janë vetëm një shkëndijë që  bëri shpërthenin gjithë problemet e akumuluara gjatë 30 viteve. Përgjegjës këtu mund të jetë shumëkush, por askush sa Sali Berisha nuk mund të jetë përgjegjës për krijimin e këtyre problemeve dhe plagëve që ne kemi. Për këtë arsye, pak kush me mend në krye mund të besojë se ai mund të jetë shërues i plagëve që ka shkaktuar vetë”.

Partia Demokratike e pranon  krizën e saj të identitetit. “Ajo po pranon dhe duhet të bindet për këtë se identiteti i saj nuk mund të jetë identiteti i liderit gjë që ka ndodhur deri tani me raportet e saj me Sali Berishën.  Ajo duhet të ndahet nga Berishizmi siç u nda shoqëria nga Enverizmi! Çdo ndarje ka përmasën e saj të dhimbjes dhe trishtimit, por edhe farën e një fillimi të ri. Pikërisht për këtë duhet thënë që në fillim se Berishizmi sot është enverizmi i demokracisë”, thotë Gjekmarkaj.

Sipas deputetit, ish-lideri demokrat po shkon aq larg sa ta kushtëzojë jetëgjatësinë e PD-së, opozitarizmit dhe të djathtës shqiptare.

Sali Berishës i shkonte për shtat pritja! Sali Berishës i duhej të sakrifikonte pak nga egoja e pakufishme për pushtet për të mos e çuar PD-në në këtë konflikt të egër vetshkatërrues.  Ai duhej ta bënte këtë për mijëra e mijëra demokratë që e kanë ndjekur ndër vite, që e kanë mbështetur në ditë të vështira, që e kanë ngritur në majat e pushtetit që e kanë bërë kryeministër, president, që kanë sakrifikuar pa fund për të. Mbi supet e tij mund te rrinte edhe një akt kaq tronditës si shpallja ‘non gratta’ por jo, ai ndezi luftën imagjinare me SHBA-të  duke provokuar  vokacionin pro amerikan të demokratëve. Ai nuk la mundësi të mallëngjeheshim e të përfshiheshim nga nostalgjia, na ndau siç ka bërë gjithmonë, duke na vënë epitete të njohura”.

Në statutin e Partisë Demokratike, sipas Gjekmarkaj, duhet të shkruhet me gërma kapitale se kush humbet zgjedhjet, e certifikuara nga OSBE-ODIR, duhet të largohet nga drejtimi i partisë.

Gjekmarkaj iu drejtua në fund kryedemokratit Basha: “Mbi ju bie një përgjegjësi historike. Anëtarësia e PD-së ju ka votuar në masën 83%. Kjo ndodhi në një kohë kritike për PD-në. Do ju duhet të merrni vendime të vështira, dhe do na duhet të marrim vendime të vështira, më i vështiri i të cilëve mendoj se është shkëputja nga një traditë politike e jona që na ka sjellë në këtë pikë krize. Ndërtoni modelin tuaj të liderit duke ia lënë modelin Berisha historisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA