Barcelona mori një fitore të diskutueshme përballë Elches në “Camp Nou” në kuadër të javës së 17-të të LaLigas. “Blaugranat”, që në dy ndeshjet e fundit kishin marrë vetëm 1 pikë, fituan 3-2 ndaj skuadrës nga provinca e Alicantes, por goli i tretë i shënuar nga Nico pesë minuta para fundit të kohës së rregullt ishte në limitet e pozicionit jashtë loje, por që nga sistemi VAR u konsiderua i rregullt.

Katalanët kaluan në epërsi të dyfishtë pa u mbushur 20 minuta lojë me golat e Ferran Jutgla dhe Gavit duke dhënë përshtypjen se mund të vinte një sukses me goleadë, por ndodhi e kundërta.

Elche në pjesën e dytë shënoi dy gola për dy minuta (62’ dhe 63’), me autorë Tete Morente dhe Milla. Gjithsesi, Barcelona u hodh në sulm dhe gjeti golin e tretë me Nicon në të 85-tën. U desh konfirmimi nga sistemi VAR që goli të konsiderohej i rregullt. Barcelona me këtë fitore shkon në kuotën e 27 pikëve, tri më pak se Rayo Vallecano që mban vendin e katërt, të fundit për zonën Champions.

Top Channel