Dinamo rigjeti pikën në Abissnet Superiore pas 3 humbjeve radhazi. Ekipi i Bledi Shkëmbit barazoi 0-0 me Vllazninë në “Elbasan Arena”, teksa trajneri korçar foli rreth takimit të sotëm.

“Çfarë ndryshoi sot? Unë mendoj se ishte dëshira, impenjimi dhe kryesorja, përqendrimi i lojtarëve. Pjesë e parë goxha e mirë, patëm rastet tona, por për fat të keq vazhdojmë të gabojmë raste të pastra. Ndoshta zëvendësimet duhet të bënin pak më mirë, por është një barazim që do na bëjë mirë në anën psikologjike.

Jemi disa lojtarë më shumë, por vazhdojmë të kemi probleme. Maliqi dhe Bardhi nuk janë në kondicionin maksimal. Reaguam mirë në pjesën e parë, skuadra u përgjigj mirë.

Kemi pësuar kaq shumë gola me portierë kaq të mirë? Kanë qenë më të mirë sulmuesit… Përtej shakave, komplimente Simonit. Ne e dimë që kemi një xhavahir në portë. Ishte shansi i Simonit, njësoj si Bakaj pati shansin e tij.

Më vjen mirë që një 17-vjeçar bën shumë mirë në portë, ai nuk e ndjeu aspak presionin, aq më tepër në këtë moment të vështirë për ne.

Duhet të jemi më të duruar, por më e mira do ishte të ecnin paralel rezultatet e pozitive dhe aktivizimi i të rinjve. Klubi beson shumë te lojtarët e rinj, do vazhdojmë në këtë linjë.

Vetëm një gjuajtje në kuadrat? Nuk mendoj se e zgjidh merkato. Nuk e mendojmë merkaton si shpëtim. Ndoshta mund të na forcojë në ndonjë repart.

Kemi raste, krijojmë, por nuk godasim portën. Ndikon cilësia, qetësia dhe presioni që kemi për të fituar një ndeshje, pasi, për fat të keq, nuk po e bëjmë mirë këtë pjesë.

Pozicioni i Ibraimit? Sulmuesit që kanë pasur rastin dhe shansin, nuk e kanë bërë siç duhet. Ibraimi na jep më shumë qetësi me veprimet e tij teknike, është lojtar i sigurt për të mos humbur topin, kemi vuajtur në këtë pjesë.

Ndoshta do të vertikalizonim pa pikë referimi në sulm, ashtu siç bëri Bardhi disa herë, Mihana më pak, por nuk bëmë mirë, nuk doli siç e kishim përgatitur”, theksoi trajneri i Dinamos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA