SHBA në krah të Kosovës, Escobar i shkon në zyrë ambasadorit kosovar

17/12/2021 16:59

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i ka shkuar në zyrë ambasadorit të ri të Kosovës në Uashington, Ilir Dugollit.

Ishte vetë ky i fundit që e përcolli lajmin e vizitës përmes një postimi në Twitter. Dugolli sqaroi se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për një sërë çështjesh.

Kënaqësi ta takoj zëvendës ndihmës sekretarin Gabriel Escobar për një takim të frytshëm mbi një sërë çështjesh dhe për të rikonfirmuar objektivin tonë të përbashkët për të thelluar edhe më tepër marrëdhënien Kosovë-SHBA”, ka shkruar ai.

Dugolli ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi, ndërsa përpara e ka mbajtur këtë post në Belgjikë, ndërsa ishte akredituar edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Kosovës në Estoni.

Escobar ka shprehur më herët mbështetjen e tij që të ketë progres në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtari i lartë, që është njëkohësisht i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, e ka theksuar përkrahjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

Top Channel