Një ditë para Kuvendit Kombëtar është mbledhur sot kryesia e Partisë Demokratike.
Në mbledhjen e mbajtur mbrëmjen e sotme, kryesia vendosi ngritjen e Komisionit të Përhershëm Statutor i cili përbëhet nga 6 anëtarë, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Jonila Godole, Taulant Zeneli, Kreshnik Çollaku.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme është krijuar edhe Aleanca Qytetare për Demokracinë, si partnere e Partisë Demokratike.
Përsa i përket ndryshimeve në statut, ato do të miratohen nesër në Kuvendin Kombëtar, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në orën 11:00.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se nuk do të ketë përjashtime nga partia, ndërsa Kuvendit do ti propozohet të marrë një vendim ku sanksionon një standard që funksionarët të cilët i kap dekriminalizmi dhe të shpallur ‘non grata’ nuk do të mund të jenë anëtarë të strukturave drejtuese.
Kujtojmë se, beteja politike mes Berishës dhe Bashës ndodhi kur ky i fundit përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish kreun e PD-së, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Tashmë PD është partia e vetme në vend me dy statute, njëri i dorëzuar nga Basha në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe tjetri i dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD-së.
Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Top Channel