Një ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, Partia Demokratike ka mbledhur sot në mbrëmje kryesinë dhe kanë vendosur ngritjen e Komisionit të Përhershëm Statutor i cili përbëhet nga 6 anëtarë.
Sipas burimeve të Top Channel, mësohet se ata janë: Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Jonila Godole, Taulant Zeneli, Kreshnik Çollaku.
Kujtojmë se, Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha në Pallatin e Kongreseve do mbahet nesër në orën 11:00, ndërsa kreu i PD-së, dha një mesazh këtë të premte:
“Nesër zgjedhim të ardhmen”.
Basha gjithashtu u ka dërguar mesazh mbështetësve të tij, duke theksuar se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike mblidhet me përgjegjësinë historike për të qenë të bashkuar kundër regjimit të kryeministrit Edi Rama.
Kuvendi Kombëtar i PD vjen vetëm një javë pas atij të Berishës, ku u votua për shkarkimin e Bashës si dhe u ndryshua statuti i PD-së.
Kujtojmë se nesër në të gjitha degët e PD në rrethe do të mbahet referendumi për shkarkimin e Bashës, vendim i dalë nga Kuvendi i Berishës. Megjithatë Basha ka deklaruar se nuk njeh asnjë vendim të dalë nga ky Kuvend.
Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Tashmë PD është partia e vetme në vend me dy statute, njëri i dorëzuar nga Basha në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe tjetri i dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD-së.
Beteja politike mes Berishës dhe Bashës ndodhi kur ky i fundit përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish kreun e PD-së, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Top Channel