Punimet për lotin 1 të bypass Shkodër kanë përfunduar dhe i gjithë ky segment me gjatësi 4.8 kilometra tashmë është i hapur për lëvizjen e automjeteve.
Aksi është i pajisur me të gjithë elementët urbanë, troturarë, korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim, duke shërbyer edhe si një pedonale për qytetarët shkodranë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan punimet e kryera për këtë vepër.
“Është një lot që përbëhet nga 4.8 kilometra gjatësi, me dy kalime nga 7 metra gjerësi për lëvizjen e makinave. Aksi ka të gjitha elemntët e nevojshme për një rrugë të kësaj kategorie, kemi korsitë e biçikletave, trotuarin, gjelbërimin, ndriçimin anësor dhe qendror. Ky segment do të lehtësojë shumë trafikun dhe lëvizjen brenda qytetit”, bëri të ditur drejtori i ARRSH.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se bypass-i Shkodrës është pjesë e aksit Tiranë-Hani i Hotit, por që lehtëson trafikun edhe brenda qytetit. Duke ju bërë thirrje drejtuesve të automjeteve për të treguar kujdes, pasi rruga, për shkak të elementëve që janë pjesë e projektit, do të shërbejë edhe si pedonale për qytetarët, theksoi edhe nevojën për mirëmbajnë e kësaj vepre.
Sa i përket Shkodrës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se janë një sërë projektesh të rëndësishme, kryesisht në infrastrukturë që prekin këtë qytet, por edhe zonën përreth duke nxitur më tej zhvillimin ekonomik.
“Ne kemi plane më të mëdha infrastrukturore këtu, të cilat i kemi diskutuar me të gjithë aktorët në zonën e Shkodrës dhe janë ndërhyrje të rëndësishme dhe më të mëdha, të cilat do ta bëjnë këtë pjesë një komponent të pandashëm edhe të korridorit Adriatiko-Jonian, që ne synojmë të nisim gjatë vitit 2022, duke qenë se ai korridor nis nga Muriqani dhe do të duhet të lidhet me Shkodrën. Padyshim ne jemi mësuar gjithmonë që Shkodra kryqëzohet apo kalohet siç është ky rasti këtu, me akset që të nxjerrin në Han të Hotit, por është e rëndësishme të themi se për shkak të korridorit Adriatiko-Jonian ne do t’i japim një vëmendje të veçantë edhe pjesës së doganës së Muriqanit. Duke pasur parasysh punën që do të bëhet, përsëri do të ketë ndërhyrje të tjera infrastrukturore, të cilat do ta bëjnë Shkodrën të dalë direkt në atë korridor, duke lënë gjithmonë alternativën e rrugëve ekzistuese. Edhe ura hyrëse është diçka që ne konsiderojmë, për të përpunuar volume më të mëdha”, njoftoi Balluku.
Ministrja Bilali, njëherësh deputete e qarkut Shkodër, tha se kjo është një vepër e shumëpritur nga ana e qytetarëve pasi ka qenë një kërkesë e tyre e vazhdueshme. “Premtimi i radhës i mbajtur. Ka qenë një kërkesë afatgjatë e qytetarëve dhe ne deputetët si përfaqësues të tyre e kemi përcjellë këtë kërkesë. Më vjen shumë mirë që kjo Qeveri e dëgjon zërin e qytetarëve, siç është rasti konkret i byppasit, por edhe lajmet fantastike që ju përmendët për Shkodrën janë kërkesa të qytetarëve dhe bizneseve, të cilët një pjesë e madhe mbahen me turizmin dhe infrastruktura është hapi i parë për zhvillimin e tij”, u shpreh Bilali.
Bypass-i i Shkodrës nis në hyrje të qytetit dhe përfundon në dalje të tij duke u lidhur me segmentin Shkodër-Hani i Hotit. Ky segment do të shërbejë për përdoruesit e rrugës të cilët kanë destinacion doganën e Hanit të Hotit si dhe të gjithë rrethinave të malësisë së Madhe duke evituar në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës. Loti 2 i bypass-it do marrë zhvillim në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do ta trajtojë si një shëtitore dhe si një lulishte të inkorporuar brenda zhvillimit të madh që ka marrë zona.
Top Channel