Kreu i PD Lulzim Basha tha në Open se pas shpalljes së Sali Berishës non grata, do ishte kriminale nga ana e tij të mos zgjidhte anën e demokratëve.
Basha tha se pasi ka marrë vendimin për pezullimin e Berishës ndihet më i çliruar se në çdo moment tjetër gjatë 16 viteve të karrierës së tij politike.
Basha: Së pari vendimi nuk është personal, por është vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike. Është vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike, sepse kryetari i Partisë Demokratike zgjidhet me një anëtarë një votë nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Jo që të ketë makinë dhe shofer, jo që të dali të pres e të përcjell ambasadorë, por që të marrë vendime të vështira. Me statutin e Partisë Demokratike, kryetarit jo vetëm që i kërkohet të marrë vendime të tilla që në nenet e para të statutit, po mosmarrja e një vendimi të tillë, e ngarkon me përgjegjësi. Atëherë do të ishte shkelur statuti. Dhe më lejoni t’iu them se pse.
Partia Demokratike, jo në këto 8 vite që unë kam qenë kryetarë, por prej fillimit në statutin e vet është përcaktuar si një parti në thelb anti-komuniste, pro Euroatlantike. Ka pasur në objektivat e saj anëtarësimin në NATO, duke qenë që Shqipëria u anëtarësua në NATO gjatë qeverisjes tonë, tani përcaktohet qëndrimi pro vlerave Euroatlantike dhe ka mbetur në statut si një nga qëllimet kryesore të ekzistencës së partisë, si një nga misionet kryesore, anëtarësimi në Bashkimin Europian, padiskutim ka dhe objektiva të tjera. Ky është hapi i parë dhe i pacenueshëm i çdo kryetari të Partisë Demokratike që do të ishte në pozitat ku jam unë dhe ku kam qenë unë deri në 9 shtator. Hapi i dytë dhe më i rëndësishëm. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike para formimit, kryetari ka të gjithë autoritetin të vendos përkatësinë në këtë grup. I vendosur përpara një dileme, fati personal i Sali Berishës, apo interesat e demokratëve, siç u bë publikisht e njohur nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara pas shpalljes së tij non grata, do të ishte jo vetëm neglizhente, e pafalshme, por kriminale nga ana ime apo çdokujt që do të ishte në vendin tim, të mos zgjidhja anën e demokratëve, dhe këtë kam bërë.
E kundërta do të kishte qenë kriminale, madje t’iu them dhe këtë. Ky ishte një vendim që Sali Berisha pakashum e paralajmëroi vet. Në korrik ai tha që unë nuk do ta përfshij Partinë Demokratike, as grupin parlamentar. Bëri krejtësisht të kundërtën. Menjëherë pasi unë mora vendimin për ta pezulluar nga grupi parlamentar, mos harroni është një parti që ka vendosur një standard. Ka vendosur një standard të cilin Sali Berisha e ka mbrojtur me forcë, e ka mbrojtur me studio. Një person i shpallur non grata nga SHBA-të, që për demokratët, për Partinë Demokratike, gjë tjetër se ju mund të keni mendime të ndryshme, po për demokratët dhe për Partinë Demokratike, ne kemi pranuar Departamentin e Shtetit, si një juri të demokracisë dhe të shtetit tonë të së drejtës. Ne citojmë çdo mars kur del raporti i të drejtave të njeriut, citojmë edhe marsin e këtij viti dhe marsin e këtij viti Departamenti i Shtetit ka shkruajtur që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan. Është ky Departamenti i Shtetit që ka shpallur non grata Dakon dhe Dashin me sa dimë ne, se ka dhe shpallje të cilat nuk janë bërë publike.
Top Channel