Presidenti i Republikës, Ilir Meta të enjten ka kthyer për rishqyrtim ndryshimet për ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Në arsyetimin e tij, kreu i shtetit sqaron se “trajtimi fiskal i diferencuar që aplikon ky ligj, në thelb shkel parimet dhe të drejtat themelore kushtetuese”.
Sipas tij, ky ligj favorizon përmes përjashtimit nga TVSH subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj, por që penalizon sektorin e bujqësisë, duke hequr kompensimin për prodhuesit si dhe është përcaktuar shkalla e reduktuar prej 10% të furnizimit me inputet bujqësore.
“Kjo do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional me nevojën që dikton mbështetja e tyre”, njofton Presidenca.
Presidenti argumenton se me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, me heqjen apo diferencimin e përjashtimeve të normave të TVSH-së, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale ndërmjet sektorëve të ekonomisë, sepse është parë me proritet heqja e përjashtimeve për sektorin e bujqësisë dhe të investimeve, kundrejt lënies së përjashtimeve për sektorë të tjerë.
Në arsyetimin e mos dekretimit të ligjit, Meta nënvizon se ligji në tërësi “kishte një plan financiar antisocial” pasi “mungonte mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor”.
Top Channel