Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në Kuvend për marrëveshjen e vendit tonë me Britaninë e Madhe për ekstradimin e emigrantëve tha se do të ketë një kuadrër të përbashkët ligjor operacional.

Referuar kësaj marrëveshje shqiptarët e dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale mund të transferohen për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri me procedura më të thjeshta dhe të shpejta. Jo vetëm kaq, por shqiptarët në burgjet angleze mund të përfitojnë edhe ulje dënimi nëse transferohen në Shqipëri, në rastet kur Kodi Penal shqiptar parashikon një dënim më të ulët se sa ligji penal anglez për të njëjtën vepër penale konkrete.

Kështu parashikon marrëveshja e re mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar.

Marrëveshja ka nisur të shqyrtohet nga komisionet parlamentare, për t’u miratuar sot me disa ndryshime në seancë plenare.

Aktualisht mes Shqipërisë dhe Anglisë zbatohet një marrëveshje e vitit 2013 për transferimin e ndërsjellë të të dënuarve.

Palët kanë vendosur ta ndryshojnë këtë marrëveshje, për shkak të vështirësive për zbatimin e saj dhe ndryshimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Në Angli ka rreth 1 500 shqiptarë të dënuar. Ndërkaq, në burgjet shqiptare nuk ka më shumë se 100 vende të lira.

Marrëveshja që kemi sjell sot nuk është diçka e re, ne kemi pasur marrëveshje bilateriale me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut që prej vitit 2003 për sa i takon riatdhesimit, por zhvillimet ndërkombëtare me dinamika të ndryshme lindën nevojën e rinovimit të këtij instrumenti juridik dhe kryesisht kjo marrëveshje vjen edhe si propozim i Qeverisë Britanike në kuadër të daljes së saj nga Bashkimi Evropian.  

Kjo marrëveshje është hartuar duke u bazuar në “modelin komunitar”, në frymën e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në pajtim me legjislacionin kombëtar të të dy shteteve, pa paragjykuar angazhimet e tyre të mëparshme, bazuar në marrëveshjet dypalëshe, shumëpalëshe me vendet e treta, duke respektuar parimet dhe rregullat e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale.

Me ratifikimin e kësaj marrëveshje të dy vendet tona zotohen për ngritjen e një kuadri të përbashkët ligjor operacional mbi çështjet e lartpërmendura,  në përputhje me kërkesat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria dhe Britania e Madhe do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre në lidhje me luftën kundër fenomenit  të migracionit të parregullt. Të dy vendet tona do të zhvillojnë bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme. 

Kjo marrëveshje në vetvete nuk është një legjislacion për të përafruar legjislacionin shqiptarë me atë të BE, por është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi vendas dhe atë ndërkombëtar. Nënshkrimi i saj është në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare në luftën kundër fenomenit të migracionit të parregullt.

Garantimi i migracionit të sigurt dhe të rregullt nga, përmes, dhe drejt Shqipërisë, fenomen i cili ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë e brendshme të vendit, sigurinë e fqinjëve por edhe më gjerë në mbarë BE, mbetet një nga objektivat tanë kryesorë në fushën e çështjeve të brendshme. Fenomemi i imigracionit të parregullt, si kërcënim kryesor i sigurisë, shoqërohet dukshëm me vepra kriminale si trafikimi i qënieve njerëzore, kondrabandimi i emigrantëve, përdorimi në masë të gjërë i dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit si dhe lëvizja e individëve të përfshirë në akte terroriste apo ekstremisht të dhunshëm.

Në qershor 2019 ne miratuam Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit (2019-2022), ndërsa në dhjetor 2020 u miratua Strategjia Ndërsektoriale e Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027 shoqëruar me një Plan Veprimi 2021-2023. Vizioni dhe masat e parashikuara në këto dokumente strategjikë janë ambiciozë dhe nëpërmjet tyre synohet t’u jepet përgjigje sfidave dhe të përballohen nevojat e identifikuara.

Megjithatë siç e pata shprehur edhe në takimin me homologen time në Britani pak javë më parë, ku isha për një vizitë zyrtare, emigracioni i jashtëligjshëm, kurrsesi nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm. Kërkova prej saj të rishikojë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizje sezonale. Të them të drejtën, më  erdhi mirë që gjeta një mirëkuptim duke më shprehur gjithashtu edhe homologia, angazhimin për të bërë gjithçka që duhet për integrimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe.

Në marrëveshjen që kemi sjell sot në Kuvend, janë parashikuar rregullat dhe  parimet mbi të cilat do të zbatohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, rastet e bashkëpunimit sipas kërkesës, por edhe rastet e bashkëpunimit pa kërkesë, duke filluar që nga mënyra e aplikimit për ripranim, kostot e transportit e deri mbrojtja e të dhënave personale apo veprimet që ndërmerren në rastet e ripranimeve të gabuara.

Për realizimin e Marrëveshjes, palët do të lidhin sigurisht një protokoll-zbatimi të saj, që do të përcaktojë rregulla mbi përcaktimin e autoriteteve kompetente, pikat e kalimit kufitar, shkëmbimin e pikave të kontaktit, kushtet për kthimet e shoqëruara, kalimet tranzit të shtetasve të vendeve të treta dhe personave pa shtetësi. Marrëveshja parashikon verifikimin dhe identifikimin e shtetasve subjekt kthimi/ripranimi, duke komunikuar çdo informacion për ta, duke konsultuar bazën e të dhënave  vetëm  për  qëllim të zbatimit  të kësaj marrëveshjeje.

Shërbimet kompetente të policive kufitare të palëve të ndërsjellta, do të ndjekin dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e menaxhimit të situatave migratore të parregullta, bashkëpunim i cili do të konsistojë në, analizën e flukseve migratore, shkëmbimin operacional të informacionit dhe ripranimet.  Do të shfrytëzohen praktikat më të mira dhe do të krijohen praktika të reja me asistencë operacionale reciproke në fushën e migracionit të paligjshëm. 

Në përfundim shpreh bindjen se rinovimi i kësaj marrëveshjeje pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, është një instrument i rëndësishëm dypalësh për të adresuar flukset migratore në një kontekst krejtësisht të ri. Ftoj të gjithë kolegët, përfshi edhe kolegët e opozitës që ta votojnë këtë ratifikim të kësaj marrëveshje”, tha Çuçi.

Lajmi në përditësim…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA