Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë për të parën herë mbi arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, pas akuzave për tenderime korruptive nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në një koment që i ka kthyer një ndjekësi në Facebook, Rama shpjegon se atij nuk i bën përshtypje arrestimi i Kokës, duke shtuar se Qeveria mbështet pa kushte Reformën në Drejtësi dhe nuk do të bëhet mburojë për askënd, nën petkun e Partisë Socialiste.
“Euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë me akuza e më moton shpif e shpif se diçka do mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAKU të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës dhe tashmë është pjesë e Bashkisë së Elbasanit që do të shërbejë për të vazhduar në mbrojtjen e zonës nga ndotja, ndërsa nga ana tjetër çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po një çeshtje individuale”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se që nga dita e parë e qeverisjes së tij, një rregull nuk ka ndryshuar: Cilidoqoftë ai, pa dallim partie, duhet të përballet vetë me drejtësinë.
“Cilidoqoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush ndër ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike”, tha Rama.
Top Channel