Presidenti Meta dekreton 4 ligje të qeverisë, ja për çfarë bëhet fjalë

15/12/2021 17:51

Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të mërkurë ka dekretuar katër ligje të propozuara dhe të miratuara nga qeveria, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, si dhe një disa ndryshime në marrëveshjen për furnizimin me vaksinën Pfizer.

Mes ligjeve të dekretuara nga presidenti dy kanë të bëjnë në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për një pikë të përbashkët të kalimit kufitar.

Gjithashtu Meta ka dekretuar dhe ligjin për lehtësirat për procedurat e alokimit të dozave të vaksinës Pfizer dhe në rastet kur ato janë të dhuruara nga vendet e tjera.

Kreu i Shtetit thotë se krijimi i lehtësirave në procedurat e alokimit të dozave Pfizer, edhe kur ato janë të dhuruara nga shtetet e tjera, është një detyrim i organeve shtetërore, për të garantuar furnizim të pandërprerë të vaksinës kundër koronavirusit.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka dekretuar me shpallje katër ligje, si vijon:

1. Ligj nr. 116/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Europiane, dhe Komisionit Europian për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”.

Programi i Bashkëpunimit Maqedoni e Veriut – Shqipëri, që ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis të dyja vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta, është vlerësuar si një mbështetje reale për nevojat e të dy vendeve.

2. Ligj nr. 117/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Kjo marrëveshje shkon në funksion të lehtësimit të qarkullimit të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë.

3. Ligj nr. 118/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr. 86/2016”.

Kjo marrëveshje dhe mbështetja e Qeverisë Italiane, është një ndihmesë e çmuar për realizimin e një rrjeti rrugor efikas kombëtar që të favorizojë shkëmbimet e udhëtarëve dhe të mallrave me vendet kufitare dhe me pjesën tjetër të Europës, si edhe në brendësi të Shqipërisë.

4. Ligj nr. 119/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 32, datë 5.11.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin e furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021 të Këshillit të Ministrave””.

Krijimi i lehtësirave në procedurat e alokimit të dozave Pfizer, edhe kur ato janë të dhuruara nga shtetet e tjera, është një detyrim konstant i organeve shtetërore, për të garantuar furnizim të pandërprerë të vaksinës anticovid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA