Në kërkim të policit në arrati/ Arbër Sula qëlloi dhe vrau me armën e shërbimit 29-vjeçarin Jurgen Duka

15/12/2021 15:15

Pavarësisht negociatave të shumta për t’u vetëdorezuar , një oficer policie vijon të jetë në arrati për vrasjen e të riut Jurgen Duka.

Deri më tani, në pranga ka rënë vetëm Orgest Drazhi, shok i viktimës që akuzohet se nuk kallëzoi konfliktin banal të ndodhur brenda në supermarket, që u mbyll me një të vrarë. Nga çfarë tregon kamera e sigurisë, Jurgen Duka, 29 vjeç që jetonte midis Britanisë së Madhe ku ka familjen, dhe Tiranës, u konfliktua nën efektin e alkoolit me një tjetër klient që po priste në radhë të paguante.

Pas indiferencës që shoqëron shokët e dy të rinjve, Jurgeni e shton të panjohurin që sipas dëshmitarëve i kërkoi t’i hapte rrugën pasi nuk pyeste për shpenzimet. I panjohuri pasi shtyhet sërish nga 29-vjeçari , nxjerr armën dhe e qëllon. Pas hetimeve, ai u identifikua se ishte oficer policie.

Gjatë veprimeve paraprake, është konfirmuar se midis policit Arbër Sula 27 vjeç, me detyrë agjent krimesh në Dibër dhe viktimës nuk kishte njohje të mëparshme.

Arbër Sula u frymëzua për t’u bërë polic, jo vetëm nga fakti se u rrit pak metra larg akademisë së sigurisë, ku prindërit e tij kanë banesën , por edhe sepse ai gjatë adoleshencës u shërbeu si kamarier policëve dhe studentëve të akademisë në lokalin përballe këtij institucioni. Por akademia e sigurisë nuk mundi t’i sigurojë dy gjëra policit të ri, se si përdoret arma dhe vetëpërmbajtjen.

Edhe shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesat ka nisur një hetim të veçante nga ku rezulton se efektivi i policisë nuk ishte në detyre në çastet e ngjarjes, por pikat mbi ‘i’ për ngjarjen do t’i vendosë prokuroria.

Top Channel