Tashmë një kanal i posaçëm do të vijë në aplikacionin ‘Komisariati Dixhital’, ku gjithkush mund të kontribuojë për Shqipërinë e Pastër, duke denoncuar krimin mjedisor dhe çdokënd që hedh plehra rrugëve!
Në një aktivitet të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se të gjithë nga pak jemi kriminelë për mënyrën si e kemi trajtuar mjedisin.
“Jemi mësuar që krimin ta identifikojmë me një autor, me një keqbërës, me një kriminel. Gjithmonë është ai tjetri, sepse mendojmë se ne vetë nuk gabojmë asnjëherë. Ecim çdo ditë në rrugë dhe hedhim pa teklif nga dritarja shishet, jemi ne që plehrat i hedhim te oborri pas shtëpisë, ose te shkallët e pallatit apo i fluturojmë nga ballkoni. Jemi ne që shkojmë në plazhe dhe lem pas si bomba helmuese bidonë, shishe, qese, mbeturina të ngurta që ja ngulim si thika në zemër natyrës pa më të voglën vrasje të ndërgjegjshëm.
Jemi ne që punojmë dhe hapim kantiere ndërtimi, nxjerrim materiale ndërtimi nga lumi apo mali dhe i shqyejmë stomakun natyrës përtej kapaciteteve dhe lejeve mjedisore. I bëjmë edhe karshillëk policisë! Mbetjet tonat janë, ne i prodhojmë edhe duhet të mendojmë se ku duhet ti çojmë ato”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro thotë se ligji për të ndëshkuar krimet në mjedis ekziston, por nuk është bërë aq sa duhet.
“Nga ligjet që kane te bëjnë me mjedisin, që parashikojnë gjithë masat ndëshkuese, deri në heqje lirie për krimet mjedisore, organet që duhet ti hetojnë dhe ndalojnë. Duhet të pranojmë që se kemi zbatuar gjithë këtë paketë ligjore në masën e duhur sepse duhet të ndëshkojmë veten tonë, secili nga pak jemi kriminel në mënyrën si jemi sjellë me mjedisin”, tha Kumbaro.
Top Channel