Komisioni  për Rithemelimin e Partisë Demokratike këtë të mërkurë ka çuar në gjykatë ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin Kombëtar  të 11 dhjetorit.

Ndryshimet në Statut ia propozoi Kuvendit të thirrur nga Berisha, 4.935 delegatëve por edhe militantëve të pranishëm, deputeti Oerd Bylykbashi.

Një ndryshim thelbësor i statutit sipas njerëzve të Berishës ka të bëjë me nenin se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit. Pra Berisha kërkon të zhbëjë vendimin e Bashës për ta përjashtuar.

Në dokument thuhet se pas Kuvendit për 4 muajt në vijim do të ketë një Komision të Përkohshëm të Rithemelimit që merr drejtimin e ekzekutiv të PD-së deri në konstituimin përfundimtar të organeve drejtuese.

Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.

Deputeti Bylykbashi tha se futja e referendumit, primaret, por edhe forcimi i organeve kolegjiale janë disa nga pikat e statutit të ri të PD-së. Një tjetër pikë lidhet me sanksionimin në statut të faktit që nëse humbet zgjedhjet pavarësisht arsyes, largohesh.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike depozitoi të hënën në gjykatë ndryshimet në statut të miratuara në Kuvendin e 17 korrikut.

Ndryshimi i rregullave të funksionimit të Partisë Demokratike u propozuan si një zgjidhje për krizën brenda saj, pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rizgjedhjes së Bashës në krye të partisë në një proces të kontestuar nga kundërshtarët e tij në parti.

Kuvendi Kombëtar i PD miratoi ndryshimet në Statutin e Partisë, që ishin propozime të kreut Lulzim Basha. Ai propozoi 11 ndryshime, duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve.

Kryedemokrati krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale. Basha nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit.

Vlen të theksohet se me gjithë debatin e ashpër të ditëve të fundit, statutet e partive politike shqiptare, edhe pse të kopjuara nga parti simotra në Perëndim, nuk janë respektuar ndonjëherë nga kryetarët e këtyre forcave.

Kështu më herët në PD, ish-kryeministri Sali Berisha vendosi një rekord të mosmbledhjes së strukturave kolegjiale pavarësisht parashikimeve në statut.

Edhe kryeministri Edi Rama pas zgjedhjeve të humbura në vitin 2009 u justifikua me tjetërsim të rezultatit zgjedhor dhe pas vitit 2013 “harroi” pikën e statutit që fliste për zgjedhje të kryetarit një herë në katër vjet.

Së fundi, kreu i PD-së Lulzim Basha është vendosur në ballë të akuzave nga kundërshtarët e tij politik se për pezullimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk u respektua Statuti i partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA