Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij të fundit u gjetën një revolver sportiv, një armë zjarri revolver dhe një armë zjarri pistoletë.
“Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, bazuar dhe në informacionevet e marra në rrugë operative, kanë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin Dh. N., 36 vjeç, banues në Sarandë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e një banese në pronësi të këtij shtetasi, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një revolver sportiv, një armë zjarri revolver dhe një armë zjarri pistoletë”, njofton policia.
Ndërkaq, u procedua penalisht për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi A. N., 46 vjeç, banues në Sarandë, sepse u konstatua se ushtronte aktivitetin në subjektin e tij bar-kafe, pa dokumentacionin përkatës, i paregjistruar në organet tatimore dhe pa certifikatë fiskalizimi.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasen A. P., 47 vjeçe, banuese në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin që administron iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale paketa cigaresh, pa pullë fiskale, të cilat i tregtonte pa deklaruar të ardhurat në organet tatimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel