Një ditë pas kaosit në selinë e PD, paraditja e të martës i gjeti ambasadorët e disa vendeve të akredituar në Tiranë të ngjisin shkallët e selisë blu.
Ftesën e kishin nga Lulzim Basha. I priti në të njëjtën zyrë nga ku Sali Berisha, shpalosi avancimin e planit për largimin e zotit Basha nga drejtimi partisë.
Top Channel mëson se Lulzim Basha i ka informuar ambasadorët për situatën në PD dhe përgatitjet për kuvendin e 18 Dhjetorit.
Ambasadorët gjatë bashkëbisedimit në selinë blu kanë mbajtur qëndrimin se ky është një debat i brendshëm partiak dhe se ata nuk mund të kenë një qëndrim publik.
Burime nga ky takim theksuan se ambasadorët janë shprehur se këtu ne jemi për t’u takuar me PD-në zyrtare dhe, në këtë rast, veprimi ardhjes së tyre flet më shumë se fjalët.
Lulzim Basha e vijoi bisedën me Yuri Kim në korridoret e PD e i përcolli ambasadorët deri në dalje të selisë blu.
Diplomatët nuk bënë asnjë deklaratë për mediet por Lulzim Basha deklaroi se:
“Takimi i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshmen, për të sotmen dhe për të ardhmen”.
Top Channel