Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka të martën ka reaguar për takimin e kreut të PD-së Lulzim Basha me ambasadorët, duke e konsideruar si një angazhim të panevojshëm në mbrojtje të vulës dhe karriges personale.
“Sikur të angazhoheshe kaq shumë sa po angazhohesh për të mbrojtur vulën e karrigen tënde, edhe për të mbrojtur votën e denoncuar “masakrën zgjedhore”, do ju kishe bërë të paktën një shërbim demokratëve! Seriozisht e ke që mendon se mund të qëndrosh në krye të demokratëve me ndihmën e policisë së Ramës dhe ambasadorëve, kur demokratët të kanë shkarkuar? Ty mbase të bën punë një parti-shoqatë në opozitë prandaj lufton kaq fort për vulën, po si mund ta pranojnë këtë ata demokratë që prej më shumë se 8 vitesh janë nën dhunën dhe persekutimin e Ramës? Tani po lufton të mbash vulën sepse justifikimin për humbjen e radhës e ke gjetur: “Prapë fajin e ka Saliu”, shkruan Paloka.
Ambasadorët e SHBA, BE, Gjermani, Francë, Britani mbërritën sot në selinë e Partisë Demokratike ku u takuan me kryedemokratin, Lulzim Basha.
Takimi vjen një ditë pas tensioneve të shënuara në selinë blu, ku ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij hynë në selinë e PD ku zhvilluan një mbledhje me komisionin e rithemelimit, të votuar gjatë kuvendit të 11 dhjetorit.
Berisha tha se u mor vendim për të organizuar një referendum të anëtarësisë së partisë për largimin e Lulzim Bashës nga partia.
Ish-kryeministri ngriti akuza se brenda selisë të Partisë Demokratike ka persona të armatosur që kanë kërcënuar anëtarët e Forumit Rinor.
Nga ana tjetër kryetari i PD, Lulzim Basha u tregua i ashpër me fjalët e tij ndaj Berishës, duke e quajtur ish-komunist që po bën gjithçka që të mbrojë interesat e veta edhe në kurriz të partisë.
Top Channel